Mospërfshirja e grave ne punë, pengese për zhvillim

Lajme

Mospërfshirja e grave ne punë, pengese për zhvillim

Më: 2 mars 2015 Në ora: 17:49

Vetëm një në dhjetë gra në Kosovë është e punësuar, dhe një në dhjetë do të dëshironte të gjente punë.

Tetë në dhjetë as nuk janë të punësuara e as nuk kërkojnë punë – ato janë dekurajuar nga kjo për shkak se tashmë janë të zëna duke u kujdesuar për fëmijët dhe të moshuarit dhe për shumë arsye të tjera.

Kështu thuhet në punimin e ri të Institutit Demokraci për Zhvillim me titull “Sa kushton patriarkati?".

Në punim thuhet se mungesa e transportit publik e bën të vështirë që gratë nga zonat rurale të shkojnë në vendin e tyre të punës, mungesa e shkathtësive të kërkuara e bënë gjetjen e punës pothuajse të pamundshme për to, derisa kultura patriarkale në Kosovë i heq nga lista shumë profesione si të papërshtatshme për gratë.

Remitencat gjithashtu mund ta zvogëlojnë gatishmërinë për pranimin e punëve me pagesë të ulët.

Përveç 80% të grave joaktive, rreth 40% e burrave janë gjithashtu joaktiv, ku gjithsej përbëjnë 60% të personave në moshë madhore në Kosovë që janë të aftë për punë.

Me një përqindje aq të lartë të popullatës që nuk kontribuon në aktivitetin formal ekonomik, nuk është çudi që Kosova e ka të vështirë që të zë hapin me shtetet fqinj.

Autorët e punimet janë fuqimisht të bindur që pabarazia gjinore nuk është vetëm çështje e barazisë, por edhe faktori kryesor që e mbanë Kosovën të paarsimuar dhe të pazhvilluar.

Hendeku gjinor në rezultatet e tregut të punës është shumë më i lartë në Kosovë se në rajon.

Këto dallime sugjerojnë që ekzistojnë faktorë të theksuar specifik për gjininë në këtë kontekst që luajnë rol kyç në përfshirjen e gruas në aktivitet ekonomik.

Si rezultat i kësaj, niveli disproporcional i papunësisë te gratë nuk mund të zgjidhet duke kërkuar rritje të përgjithshme të punësimit. Ndikim i madh në zhvillimin e Kosovës mund të bëhet vetëm nëse politikat e shënjestrojnë në mënyrë specifike papunësinë e grave.

Ndërmarrëset femra janë me siguri kategoria më e guximshme dhe inteligjente në vend. Shumicës së grave që janë të suksesshme në biznes, përveç gjetjes së mënyrës për të arritur tek përfitimi, iu është dashur të tejkalojnë shumë.

Mospërfshirja e grave në treg të punës është pengesë kryesore për zhvillimin e vendit pengesa tjera – paragjykimet dhe dyshimet e familjes së tyre, shokëve e shoqeve dhe ta fitojnë besimin e klientëve të biznesit.

Gratë janë duke e subvencionuar në mënyrë efektive ekonominë me mesatarisht 2-5 orë më tepër të punës pa pagesë në ditë. Mirëpo argumentet e deritashme për barazi nuk kanë arritur ë mobilizojnë opinionin publik. Shpresojmë që ky punim të bindë lexuesit që përfshirja e grave është gjë e mirë jo vetëm për gratë por edhe për burrat, duke sjellë zhvillimin aq të nevojshëm për tërë vendin.

Si pikënisje studimore, ky punim filloi duke kërkuar të masë deri në të çfarë shkalle do të rritej niveli i zhvillimit në Kosovë sikur gjysma e grave joaktive të kërkojnë punë. Për shkak të mangësisë së të dhënave, autoret e panë nuk arritën që të kenë një shifër egzakte se sa do të rritej BPV-ja nëse do të rritej përqindja e grave në fuqinë punëtore. Edhe pse mungon një shifër e vetme, punimi paraqet dëshmi të mjaftueshme për efektet pozitive që do të kishin efekt të dukshëm për ekonominë kosovare.

Nëse gjysma e grave që nuk janë aktive (p.sh rreth 200,000)do të hynin në tregun e punës, me supozimin teorik që gjysma e tyre do të punësoheshin, një përllogaritje e thjeshtë e tregon një nivel të BPV-së 30% më të lartë se shifra aktuale e vitit 2013.

Kjo përllogaritje nuk përcjell metodologji rigoroze dhe si e tillë bën tri supozime joreale: (a) që produktiviteti i grave që hyjnë në punësim do të ishte i njëjtë si mesatarja e personave të punësuar aktualisht, (b) tejkalimin e problemeve të shumta strukturore dhe (c) krijimin e 100,000 vendeve të reja të punës. Sidoqoftë, kalkulimi ilustron efektin masiv që do të kishte përfshirja e më shumë grave në aktivitet produktiv ekonomik do të ndikonte në nivelin e të hyrave në shtet dhe standardin e jetesës.

D4D vlerëson se përjashtimi i grave nga aktiviteti ekonomik del si pengesë kryesore për rritjen ekonomike.

“Përfshirja më e gjerë e grave në fuqinë punëtore aktive jo vetëm që do të ishte e mirë për barazinë gjinor do të ishte edhe shtytje shumë e madhe për zhvillim. Përfshirja e shumicës së këtyre grave në fuqinë punëtore aktive është interes kyç nacional në perspektivë afatgjatë, ndonëse do të ishte e padëshirueshme për autoritetet pasi që do ta rriste shkallën e papunësisë në perspektivë afatshkurtër. Në krahasim me shtetet tjera, shkalla e përgjithshme e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është dukshëm me e ulët”, thuhet në punim.

Çfarë është më e rëndësishme për temën e këtij punimi, hendeku gjinor është gati 40%, që është pak përmbi një të tretën në krahasim me atë të burrave. Për sa i përket krahasimit me burra, Kosova del me keq se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia.

Pjesëmarrja e grave ndikohet nga një sërë tiparesh individuale dhe familjare: mosha, arsimi, gjendja martesore, të qenit kryefamiljar/e, përkatësia etnike, zona e banimit, madhësia e ekonomisë familjare dhe nëse anëtarët tjerë të familjes janë të punësuar. Mirëpo, ekzistojnë edhe faktorë tjerë të jashtëm tjerë nga ata individual/familjar që ndikojnë në pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, siç është ekzistimi dhe lloji i mundësive të punësimit, paga e pritshme, ekzistimi i shërbimeve të përballueshme të kujdesit të fëmijëve dhe veçanërisht në sektorin privat, diskriminimi në tregun e punës (që së paku pjesërisht ndërlidhet me lindjen e fëmijëve dhe pushimin e lehonisë).

Gjetjet kryesore që kanë dalë nga ky raport mund të përmblidhen si në vijim: - Dëshmitë nga shtetet tjera sugjerojnë që rritja e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore kontribuon në zhvillimin ekonomik;

- Shumica dërmuese e grave joaktive në Kosovë kanë shkollim të ulët apo të mesëm. Gratë e punësuara kryesisht gjenden në sektorin publik, duke kërkuar punësim më të sigurt dhe afatgjatë;

- Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore rritet me nivelin e arritjes arsimore (sa më e arsimuar që të jetë gruaja, aq më shumë ka gjasa që ajo të merr pjesë në tregun e

punës);

- Gratë e martuara, të veja dhe të shkurorëzuara ka më pak gjasa që të marrin pjesë në fuqinë punëtore në krahasim me gratë që janë kryefamiljare;

- Tipare tjera urbane/rurale, rajonale/komunale ndikojnë në vendimin e grave për të marrë pjesë në tregun e punës, të udhëhequr nga një kombinim i ekzistimit të mundësive të punësimit dhe infrastrukturës (përfshirë transportin dhe kujdesin e fëmijëve);

- Gratë që jetojnë në familje më të mëdha kanë qasje më të mirë në mundësi të punësimit;

- Faktorët kulturor me sa duket, luajnë rol kyç në shpjegimin e nivelit të ulët të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore me ndarje të dukshme profesionale, lëvizshmëri të ulët, caktim të roleve gjinore, gjë që e mbanë Kosovën shumë prapa të gjitha shteteve të saj fqinjë.

- Në krahasim me burrat, gratë kanë më shumë gjasa që të jenë punonjëse se sa të vetëpunësuara dhe kanë më shumë gjasa që të jenë të punësuara në sektorin publik.

Rekomandime për politika

Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore në Kosovë shpjegohet nga një larmi e tipareve demografike dhe socioekonomike të grave dhe familjeve të tyre të cilat ky punim synon t’i përmirësojë përmes një sërë rekomandimesh. Sa kushton patriarkati?

- Zvogëlimi i rezistencës së punëdhënësve për punësimin e grave duke e zvogëluar pushimin e lehonisë për gratë dhe duke ofruar pushimin atëror;

- Trajnimi profesional (përqendrimi në vlerat e larta të shtuara si ndërmarrësia dhe grantet për fillimin e bizneseve) të përshtatura për gratë;

- Më shumë investime për arsimimin e grave, të bëhen ato më të përshtatshme për punësim dhe të rritet fuqia e tyre për të fituar, që ka gjasa të rezultojë në role më të barabarta gjinore në familje dhe shoqëri;

- Rritja e kujdesit ndaj fëmijëve, përfshirë rritjen e numrit të institucioneve cilësore e të përballueshme;

- Përmirësimi i transportit publik (disponueshmëria, siguria, përballueshmëria dhe orari i punës), bën më shumë vende të punës të qasshme dhe rrit mundësinë e

punësimit;

- Të ndikohen normat shoqërore në mënyrë që më shumë vende të punës të jenë të hapura për gratë, si në rolin profesional ashtu edhe në punët që kërkojnë shkathtësi të pakëta të cilat ekzistojnë me bollëk por të cilat janë ekskluzivisht të mbuluara nga burrat, si p.sh. shërbimi nëpër restorante apo vozitja e taksive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat