Hotel Dukagjini shpalos ofertat turistike për vitin 2015

Lajme

Hotel Dukagjini shpalos ofertat turistike për vitin 2015

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 10:43

Në prezencë të shumë agjensioneve dhe tour operatorëve nga shtetet fqinje dhe Kosova, Hotel Dukagjini zyrtarisht ka bërë prezantimin dhe shpalosjen e ofertave turistike për vitin 2015.

Duke u bërë nismëtar i aktiviteteve me qëllim të promovimit dhe shpalosjes së ofertave turistike për vitin 2015, Hotel Dukagjini për dy ditë ka qenë nikoqir i përfaqësuesve të agjensioneve dhe tour operatorëve si dhe shoqatave turistike nga Kosova dhe regjioni.

Nën moton “Përjetim i vërtetë”, për dy ditë rresht, pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të informohen hollësisht lidhur me ofertat nga Hotel Dukagjini si dhe atraksionet historike dhe turistike që ofron regjioni i Pejës.

Ofertat e vizitave grupore nga turistët e huaj, ofertat festive si dhe ofertat stinore si “Ngjyrat e Vjeshtës” dhe ato të fundvitit janë vetëm disa nga ofertat që janë prezantuar dhe shpalosur gjatë prezantimit.

Me qëllim që të bëhet destinacion i fuqishëm turistik, menaxheri Gjeneral Rijad Morina dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bërë promovimin e strategjive, vlerave dhe shërbimeve profesionale që ofron Hotel Dukagjini, të gërshetuara me bukuritë dhe vlerat historike që ofron qyteti i Pejës me rrethinë.

Nuk ka munguar edhe prezantimi i përkrahjes nga qeverisja lokale gjegjësisht nga Drejtorati për Zhvillim Ekonomik ku janë cekur investimet dhe përkrahja që i jepet sektorit të turizmit në regjionin e Pejës.

Janë prezantuar edhe bashkëpunimet e shumta me organizata dhe shoqata që ofrojnë oferta turistike të ndërlidhura me ato të Hotel Dukagjinit, meqë rast është bërë edhe prezantimi e bukurive dhe ofertave të regjionit të Junikut.

Pas prezantimit, të gjithë pjesëmarrësit të përcjellur nën tingujt e muzikës shqiptare, në restorantin tradicional Panorama kanë bërë shkëmbimin e përvojave dhe janë iniciuar shumë bashkëpunime të reja në sferën e turizmit.

Dita e dytë ka qenë e planifikuar për vizitën e pjesëve turistike në Grykën e Rugovës, burimin e Drinit të Bardhë dhe pikave tjera atraktive.
Aktivititeti është vlerësuar si shumë i suksesshëm dhe faza e dytë do të mbahet në fillimin e vitit 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat