Zgjedhjet e reja, opsion real

Lajme

Zgjedhjet e reja, opsion real

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 10:45

Partia fituese e zgjedhjeve, PDK-ja, por edhe analistët politikë kanë vlerësuar se zgjedhjet e reja mbesin opsion real nëse nuk arrihet një marrëveshje ndërmjet partive politike. Kurse partitë e bllokut thonë se nuk është e nevojshme që vendi të shkojë në zgjedhje përderisa ekziston shumica parlamentare.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, ka thënë se nëse nuk do të ketë një marrëveshje në mes të partive politike, opsion real mbeten zgjedhjet e reja parlamentare.
“Nga kjo bllokadë mund të dilet me një marrëveshje të përbashkët ndërmjet subjekteve politike, pra ku do të votohej kryetari i Kuvendit të Kosovës. Kërkoj nga të gjithë të reflektojnë për t’i krijuar institucionet e dala nga zgjedhjet sepse, nëse eventualisht nuk mund të krijohen institucionet, atëherë do të ishte e domosdoshme të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Dhe unë si anëtar i partisë më të madhe në Kosovë nuk do të doja të organizohen zgjedhjet e reja, por nëse nuk krijohen institucionet, sigurisht se jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje dhe të tregojë edhe një herë sovrani se kush ka të drejtë t’i krijojë institucionet”, ka deklaruar Musmurati.
Ndërkaq, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk sheh asnjë arsye për zgjedhje të reja, pasi sipas tij, ekziston shumica në Kuvend. “Nuk shoh asnjë arsye për zgjedhje të reja, aq më pak për qeveri teknike. Së pari, zgjedhjet e reja nuk mund të shpallen sepse nuk është konstituuar Kuvendi. Së dyti, nuk ka arsye të ketë zgjedhje të reja sepse ekziston shumica parlamentare, e cila është e gatshme ta marrë përgjegjësinë dhe ta formojë qeverinë”, ka thënë Mustafa.
E njohësi i çështjeve politike në vend, Behxhet Shala, ka vlerësuar se tejkalimi i ngërçit politik mund të kalohet vetëm nëse vendi shkon në zgjedhje të reja. Ai ka thënë se Kosova gjendet në një situatë e cila është bërë e neveritshme. “Pasi asnjëra palë nuk është duke lëvizur nga qëndrimet e veta, zgjidhja më e mirë do të ishin zgjedhjet, por ato janë duke u kundërshtuar nga faktori ndërkombëtar. Fatkeqësisht, jemi në një situatë e cila është duke na shkuar në nerva të gjithëve. As pozita e as opozita nuk janë duke u mërzitur për shtetin dhe qytetarët. Megjithatë, besoj se një zgjidhje do të bëhet së shpejti”, ka deklaruar Shala.
Ai ka thënë se edhe ndërkombëtarët janë duke u treguar të pasinqertë karshi ngërçit politik në të cilin gjendet Kosova tash e gati pesë muaj. “Edhe ndërkombëtarët janë duke u treguar të pasinqertë karshi kësaj situate. Ata thonë se nuk duan të ndërhyjnë në tejkalimin e ngërçit politik, ndërkaq në anën tjetër deklarojnë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ju e keni dëgjuar ambasadorin britanik, Ian Cliff, i cili, pasi Jahjaga përmendi si opsion zgjedhjet, doli dhe tha se në këtë kohë nuk është mirë të mbahen zgjedhjet. Dhe pikërisht për këtë arsye janë duke u trimëruar liderët partiakë, sepse po të kishin një vendim të prerë, se nëse nuk merren vesh brenda 10-ditësh, atëherë do të ketë zgjedhje të reja, besoni se këta do të silleshin në mënyrë krejt tjetër”, është shprehur Shala.

Selmanaj: Ende ka hapësirë për zgjidhje

Vlerësim ndryshe nga Behxhet Shala ka dhënë analisti politik Driton Selmanaj. Ai ka deklaruar se ende ka hapësirë që partitë politike të gjejnë një zgjidhje për formimin e institucioneve të reja. “Mendoj se akoma ka hapësirë për zgjidhje, e jo për ta shfrytëzuar instrumentin e zgjedhjeve. Hapësira kushtetuese dhe ajo e veprimit politik lejon ende instrumente të cilat partitë politike duhet t’i shfrytëzojnë, në mënyrë që të rezultojnë me konstituimin e institucioneve”, ka thënë Selmanaj. Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk janë opsion i mirë për vendin. “
Besoj se zgjedhjet në vetveten e tyre nuk do të ishin zgjidhje e këtij problemi sepse, sipas mendimit tim, janë disa arsye. Shkuarja në zgjedhje nuk garanton se mund të kemi një rezultat ndryshe nga ai i 8 qershorit dhe nuk garanton se nuk mund të paraqitet i njëjti problem edhe pas zgjedhjeve. Në anën tjetër, këto zgjedhje do të kishin kosto të madhe financiare dhe në fund zgjedhjet mund të jenë të shoqëruara me tensione qysh nga fillimi i fushatës dhe mund të ketë tendenca të mosnjohjes së rezultatit zgjedhor. Prandaj, zgjedhjet nuk do të duhej të ishin opsion për tejkalimin e kësaj krize”, ka thënë Selmanaj, duke kërkuar nga PDK-ja dhe partitë e bllokut të lëvizin nga qëndrimet e tyre.
“Subjektet politike duhet të lëvizin nga qëndrimet e tyre, më pas zgjidhja mund të vijë. Barrikadimi i mëtutjeshëm, normalisht vetëm sa shkakton prolongim të mëtutjeshëm. Tani besoj se ka ardhur koha që të dyja palët të lëvizin nga pozicionet e tyre në mënyrë që të japin një zgjidhje pragmatike dhe kreative për formimin e institucioneve. Për fatin e keq, kanë kaluar gati pesë muaj dhe ne kemi parë një qasje jo shumë optimiste nga ana e subjekteve politike. Tani jemi futur në fazën e patolerueshme dhe kritike që ne të kemi institucione. Kjo qasje duhet të ndryshojë. Vlerësoj se do të ketë refleksion te këto subjekte politike për t’i vendosur interesat e qytetarëve para interesave personale dhe grupore”, është shprehur Selmanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat