Pse nuk ftohen Kurti e Limaj nga ambasada amerikane?

Lajme

Pse nuk ftohen Kurti e Limaj nga ambasada amerikane?

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 09:09

Zyrtarët e lartë amerikanë vazhdojnë të mos i takojnë drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Nismës për Kosovën. Kjo gjë u dëshmua ditë më parë, ku me rastin e vizitës së senatorit Christopher Murphy, në koktejin e organizuar nga Ambasada Amerikane.

Në këtë koktej nuk u ftua as Albin Kurti dhe as Fatmir Limaj, shkruan Zëri.

Analisti Imer Mushkolaj thotë për gazetën se qëndrimi i Ambasadës Amerikane karshi Vetëvendosjes është i ditur, ndërsa thotë se Nisma është një parti e vogël, andaj sipas tij, Ambasada Amerikane nuk e ka parë të “arsyeshme që të merret me të”.

Për Vetëvendosjen ne pak a shumë e dimë si ka qenë qëndrimi i SHBA-së, përkatësisht i Ambasadës Amerikane deri tash. Kështu që besoj se po vazhdon ai qëndrimi refuzues për ta takuar liderin e kësaj lëvizjeje dhe zyrtarët e tjerë, ndërkaq sa i përket Nismës po besoj se duke pasur parasysh që është një subjekt i vogël në njëfarë forme dhe pa identitet politik, pasi që e dimë se u nda nga PDK-ja dhe është një lloj shtese e kësaj partie, prandaj besoj se Ambasada Amerikane nuk e ka parë të arsyeshme që të merret me të”.

Sipas Mushkolajt, i gjithë fokusi i Ambasadës Amerikane është tek partitë e mëdha në vend, por që kjo gjë sipas tij, nuk nënkupton që ata nuk e duan VV-në dhe Nismën në Qeveri.

Nëse bashkësia ndërkombëtare tash e disa muaj na përsërisin se partitë politike duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen, atëherë nuk besoj se ka ndonjë arsye që të jetë e papranueshme një qeveri ku do të ishte e përfshirë Vetëvendosje apo Nisma. Natyrisht se Kosova është një investim i SHBA-ve dhe i një pjese të madhe të BE-së, dhe ata janë më të kujdesshëm se kush do të jetë në Qeveri”.
Sipas Mushkolajt, më problematike është hyrja eventuale në Qeverinë e ardhshme e Listës Serbe sesa e Vetëvendosjes.

“Duke pasur parasysh qëndrimet e SHBA-ve kundrejt Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht se mund të supozojmë se do të ishte problematike përfshirja e VV-së në Qeveri, mirëpo nëse flasim për qëndrime më radikale, natyrisht pa dashur të tërheq paralele këtu, ne e kemi parasysh se në cilëndo Qeveri mund të përfshihet edhe Lista Serbe e cila ka qëndrime shumë shumë më radikale sesa Vetëvendosje”, ka thënë Mushkolaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat