Gazetari nga Peja, Idro Seferi, me “Dron” në televizion serb B92

Lajme

Gazetari nga Peja, Idro Seferi, me “Dron” në televizion serb B92

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 21:54

Reagimi i gazetarit të Top Channel, Idro Seferi, në emisionin '24 minuta, të autorit Zoran Kesiq, në televizionin B92, është shpërndarë menjëherë nëpër rrjetet sociale.
I ftuar në emisionin më të famshëm të satirës dhe të mediave në Serbi, Idro Seferi, i ka dhuruar prezantuesit të emisionit një bukë, në shenje solidarizimi me bukëpjekësit shqiptar që u sulmuan në Vojvodinë. Në këtë emision për ironizim flitet edhe shqip.

"Kam një dhuratë për ty. Në shenjë solidariteti me kolegët e mi bukëpjekës, të dhuroj një bukë, duke e ditur që dhe ti gjithmonë ke uri. Më vjen keq që buka është shumë e pjekur, por këto janë rrethanat e veçanta”, tha gazetari Seferi.

Nëpërmjet humorit gazetari shqiptar dhe kolegu i tij serb kane komentuar me humor dhe satire ngjarjet në ndeshje dhe tensionet e krijuara pas ndeshjes Shqipëri-Serbi. Idro ka çuar mesazhe paqeje, edhe pse sipas tij, është vënë në pikëpyetje vizita e Kryeministrit Rama dhe takimi i tij me homologun Vuçiç, duke e krahasuar atë me një ndeshje qe sipas tij nëse do të arbitrohej nga Catherine Ashton, do të ishte e mundur për shkak të të mirës së përgjithshme. Menjëherë në shumë media është folur për këtë.
Ndërsa në Beograd, e përditshmja serbe “24 sata” me titullin "Takojeni shqiptarin që është i ftuar në '24 minuta'", flet për gazetarin pejan te Top Channel duke treguar punën dhe biografinë e tij, por edhe gjërat e hidhura në Kosovë gjatë viteve 90.
Ndër të tjera, gazeta kujton një shkrim të kushtuar në tërësi për Seferin tek gazeta 'Blic'. Gazeta 'Blic', ka vlerësuar se Top Channel nga Tirana, për të cilën punon gazetari Seferi, është një nga shtëpitë më të mëdha mediatike. Në emisionin kritik, Seferi në fund të emisionit është shfaqur me një telekomandë duke pilotuar një dron, me flamurin e një emisioni tjetër të këtij televizioni.
Emisioni do të transmetohet të dielën në orën 23 në televizion serb, B92.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat