Zejnullahu: Do ta luftoj korrupsionin në UP

Lajme

Zejnullahu: Do ta luftoj korrupsionin në UP

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 19:56

Do të luftojmë pa kompromis çdo keqpërdorim në UP, do të shqyrtojmë çështjen e punimeve shkencore,do të përpiqemi të kufizojmë numrin e stafit jashtë UP-së, do të krijojmë një ambient të duhur për studentët dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë të shpërdorohen studentët për interesat e dikujt tjetër. Këto janë premtimet e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, i cili për herë të parë, që nga marrja e postit të rektorit, mbajti një takim me media.
Rektori foli edhe për listat e shoqatave të dala nga lufta për të cilat tha se në të kaluarën ka pasur edhe shpërdorime. E, siç tha ai, do t’i shikojë një nga një e do të bëjë përpjekje që faksohen vetëm në një kategori, e që sipas tij do të jetë ajo e fëmijëve të dëshmorëve. Kjo, sepse, sipas Zejnullahut, mundësitë e keqpërdorimeve po i sjellin këta në atë pozitë që të humbin besueshmërinë në këtë çështje.

Ndër aktivitet e shumta, ai tha se aktiviteti kryesor tani është hartimi i rregullores së punës, e prioritet është fillimi i vitit të ri shkollor, i cili do të fillojë me datën 6 tetor.

Në këtë takim me media, rektori Zejnullahu tha se ka gjetur bashkëpunim të mirë me dekanët e fakulteteve që të mund të kufizojnë angazhimin e stafit jashtë UP-së, pasi që, sipas tij, nuk mund të premtojnë që të ndalojnë tërësisht këtë angazhim.

“Duhet të theksojë vetëm disa prioritete të punës sime njëri prej t ë cilëve është përpjekja ime që të luftojë pa kompromis keqpërdorimet e çfarëdo lloji me të cilat sot ballafaqohet Universiteti i Prishtinës. Unë iu premtoj që në këtë rrugë do të jemi mjaftë transparent se presim edhe ndihmën e juaj korrekte në këtë drejtim. Këtu kur të flas kam të bëjë me forma të ndryshme edhe të korrupsionit edhe të formave tjera të krijimit të favoreve me rastin e regjistrimeve, me rastin e gradimeve, me rastin e pranimeve në punë, si në administratë si në staf akademik”, ka thënë ai.

E për emrat për prorektor që po qarkullojnë nëpër disa media, Zejnullahu tha se nuk qëndrojnë të gjithë, janë vetëm disa prej tyre e për të tjerët, ai nuk deshi t’i bëjë të ditur.

Ndërsa për mbledhjen e Senatit të UP-së e cila ditë më parë u ndërpre nga grupi i studentëve të cilët po protestojnë për shkarkimin e Ramadan Zejnullahut si rektor, ky i fundit tha se nesër pasdite do të vazhdojë mbledhja ku do të diskutohet shpallja e konkursit për afat të dytë në UP.

Ai bëri të ditur se numri nuk do të shtohet, e kjo sepse ka mungesë të kapaciteteve mësimore dhe hapësinore, veçse do të plotësohen vendet e lira.

Për grupin e studentëve që po kundërshtojnë postin e rektorit, Zejnullahu tha se ata i ka dërguar dikush për interesa të caktuara.

“Ai është një grup i studentëve i cili mjerisht po përfiton nga një ambient që ne mësimdhënësit e kemi ndërtuar, një ambient jo i shëndoshë. Po përfiton duke e shpërdoruar vetveten për interesa jot ë veta. Unë iu kam hapë derën e debatit, edhe atë ditë kur kanë hy këtu kam kërkuar që pjesa e mësimdhënësve dhe senatorët ta lirojnë sallën dhe të jenë ata në sallë dhe të hapin debat pa kufizim për çdo temë që atyre iu intereson. Ata e kanë refuzuar debatin, ende është debat i hapur, unë duhet t’i garantoj ata që në pozicionin e rektorit për aq sa do të jem. Unë do të punojë që ata do të jenë në një ambient tjetër nga ky që është”, ka thënë ai.

Ai tha se në asnjë mënyrë nuk do të lejojë vazhdimin e një atmosfere të tillë në UP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat