Nis mbyllja e gropave në rrugët e kryeqytetit

Lajme

Nis mbyllja e gropave në rrugët e kryeqytetit

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 11:14

Një kompani e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës ka nisur mbylljen e gropave nëpër rrugët e qytetit në vapën më të madhe. Ajo, pasi i ka mbyllur gropat në lagjen “Pejton” ka vazhduar në rrugën “Agim Ramadani” dhe tutje, në pjesë të tjera të qytetit, shkruan sot “Koha Ditore”. Zyrtarët komunalë, ndërkaq, kanë treguar se mbyllja e gropave në të gjitha rrugët e qytetit i kushton buxhetit komunal 300 mijë euro.
Qytetarët e Prishtinës këtë aktivitet e kanë parë me sy të mirë. Por ndër ta ka që mendojnë se kjo punë po bëhet në kohë të padëshiruar. Ata thonë se është gjetur të mbyllen gropat pikërisht në kohën kur kryeqyteti pasurohet edhe nga mërgimtarët. Të tjerë ndërkaq mendojnë se më mirë tash se në vjeshtë kur rrugët e qytetit mbushen me banorë të kthyer nga pushimet, me nxënës e studentë, ndërsa dimri e as pranvera e hershme s’janë për këso punësh.

E zyrtarë të komunës kanë thënë se kompania ka kontratë për t’i mbyllur gropat gjatë gjithë vitit. Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi, ka thënë se çdo vit bëhet kontrata që është njëvjeçare për sanimin e gropave, dhe se punimet vazhdojnë gjatë gjithë vitit. “Është projekt i Komunës së Prishtinës. Kontrata është njëvjeçare dhe është e lidhur me kompaninë ‘Jehona’, në vlerë 300 mijë euro. Ajo është e obliguar të rregullojë edhe trotuaret e dëmtuara”, ka theksuar Durmishi për të treguar se deri tashti janë mbyllur gropat në lagjen “Pejton”, kanë vazhduar në rrugën “Agim Ramadani” dhe do të vazhdojnë në të gjitha rrugët e Komunës së Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat