Shumë komuna ngecin në emërtimet e rrugëve

Lajme

Shumë komuna ngecin në emërtimet e rrugëve

Më: 23 prill 2014 Në ora: 21:17

Shumë komuna në vend ende nuk e kanë nisur zbatimin e projektit për emërtimin e rrugëve dhe numrave të shtëpive, që është pos tjerash edhe parakusht për proceset integruese të vendit. Komuna e Shtimes po prin në këtë projekt, ku sot edhe zyrtarisht bëri finalizimin e tij. Në këtë proces, kjo komunë u ndihmua nga qeveria norvegjeze.

15 komuna ende nuk kanë formuar as komisionet për projektin për emërtimin e rrugëve dhe numrave të shtëpive në gjithë Kosovën, që është pjesë e infrastrukturës së të dhënave nacionale. E afati i fundit për finalizimin e projektit është 1 korriku. Zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës thonë se ky projekt është i një rëndësie të veçantë sepse është një ndër kushtet për integrime evropiane.
“Ne kemi bërë analizë dhe kemi pas parasysh se me një angazhim të komunave do të arrijnë që deri me 1 korrik të përfundojnë këtë projekt sepse ndryshe do të kenë probleme të mëdha me emërimin e rrugëve dhe me vendosjen e tyre në sistemin digjital të kadastrës”, theksoi Murat Meha, kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Edhe zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Shpëtim Rudi, e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm këtë projekt të nisur në fund të vitit 2010.
“Kosova është duke ecur mirë me adresimin e rrugëve në gjithë territorin dhe duhet kuptuar se është parakusht për integrime evropiane por edhe për liberalizim të vizave”, tha Shpëtim Rudi zv.ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Derisa 15 komuna të tjera ende s`e kanë filluar projektin e adresimit të rrugëve, Komuna e Shtimes sot përuroi finalizimin e këtij projekti. Në ceremoni, përveç zyrtarëve vendorë ishte i pranishëm edhe ambasadori norvegjez, vendi i cilit edhe ka financuar këtë projekt me 85% në Shtime. Banorët e kësaj komune kanë mirëpritur këtë projekt, por ka edhe nga ata që kanë vërejtje lidhur me emërtimet.
“Me emrat nuk janë krejt të kënaqur por është e rëndësishme që është bërë adresimi i rrugëve dhe ka emra prej kohëve më të lashta e deri më sot dhe kjo është shumë mirë. Tepër jam i kënaqur. Komuna e Shtimes me kapacitet e veta ka punuar shumë”, tha një banor i Shtimes.
“Nuk po më pëlqen emri i rrugëve, Hysiqt janë vendasit e parë, nuk po më përputhen emrat me rrugë. E gjithë qendra e Shtimes janë Hysiq e nuk ka rrugë me emër të tillë, nuk po i kuptoj këta emra”, ka thënë një tjetër banor.
E lidhur me emërtimet kryeshefi i Agjencisë Kadastrale tha se nëse shumica e banorëve janë të pakënaqur me emrin e rrugës, pas një kohe ekziston mundësia e ndërrimit, por shton se e rëndësishme është që Kosova po bëhet me adresim të të gjitha rrugëve si dhe sipas tij do të jetë edhe shumë më lehtë edhe për regjistrin civil sepse nuk do të ekzistojë mundësia që një person të ketë dy adresa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat