Grabovci: Thaçi i ka votat për President

Kosova

Grabovci: Thaçi i ka votat për President

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 18:53

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se për të dhe për qytetarët e Kosovës është e rëndësisë së veçantë fakti se “jemi duke hyrë në një proces të rëndësishëm që është zgjedhja e presidentit”.

“Është një ngjarje që duhet të shkojë në ceremoninë e pritshme e meritore, e gjithsesi duhet të shkojë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, sepse qytetari meriton shumë më shumë se sa kemi bërë deri më tash”, tha ai.

Grabovci ka thënë se Thaçi është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe kjo sipas tij është dëshmuar tash e disa herë në zgjedhje.

“Se është a po nuk është vullnet i qytetarëve më së mirti e dëshmojnë zgjedhet në sa palë zgjedhje kemi kaluar. Nëse i referohemi zgjedhjeve të fundit ,Thaçi është më i votuari. Ndërsa po t'i referohemi më herët, në pesë palë zgjedhje jemi fitues të zgjedhjeve”.

Ai ka thënë gjithashtu se vetëdija e qytetarëve është ngritur dhe ka avancuar shumë, ndaj sipas tij vlerësimet janë më cilësore duke u nisur nga puna dhe rezultati i Thaçit e punës së tij.

“Nuk e besoj që ka ndonjë figurë politike që ka merita më të mëdha se Thaçi. Ai është pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet historike të vendit. E ka përfaqësuar në mënyrë të dinjitetshme Kosovën”.

Grabovci ka thënë se duhet të punohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Republika është Republikë parlamentare, e presidenti zgjedhet në parlament se 120 deputetët përfaqësojnë vullnetin e gjithë qytetarëve. Thaçi është njeriu që e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të Kosovës”.

“Ne jemi republikë parlamentare e duhet të mësojmë se demokracia i ka rregullat e veta, e mosrespektimi i ligjeve atëherë ne na dërgon në anarki, e anarkia na bën vetëm dëme”.

Sipas tij, do të ishte kënaqësi e jashtëzakonshme nëse presidenti do të zgjedhej në mënyrë të drejpërdrejtë pasi sipas tij në këtë mënyrë Thaçi do të fitonte edhe më bindshëm.

Ai ka thënë se i kanë votat për zgjedhjen e Thaçit president.

“Parlamenti i ka 120 deputetë, pozita i ka vetëm 89 deputetë, përjashto disa deputetë që kanë lëvizur nga një subjekt në tjetër. Ne kemi një marrëveshje mes partnerëve të koalicionit, deri më tash është respektuar, dhe jam shumë i sigurt që edhe tash e tutje ne do të jemi shumë korrekt, e asnjëehrë nuk e kemi vënë në dyshim nëse i kemi apo jo votat", tha Grabovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat