Opozita fton gratë të dalin nesër në manifestim kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit

Kosova

Opozita fton gratë të dalin nesër në manifestim kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 15:55

Opozita vazhdon t’i thërras qytetarët e Kosovës që nesër të dalin në manifestimin gjithëpopullor në kundërshtim të marrëveshjes për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Deputetët e partive opozitare gjatë një takimi që kanë pasur me gratë, u kanë bërë thirrje atyre që të dalin në manifestimin e nesërme për të kundërshtuar dy marrëveshje që janë shumë të dëmshme për vendin.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu tha se organizimi i takimit me gratë, ka ardhur si shkak i ngjarjeve në vend, e cila është shkaktuar nga dy njerëz, Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

Ajo tha se do të mblidhen edhe shumë herë të tjera për të mbrojtur atë që e quajnë Republikë, pasi po të jetësohen dy marrëveshjet e arritura, nuk do të ketë Republikë. Haxhiu akuzoi kryeministrin Isa Mustafa e zëvendësin e tij Hashim Thaçi se arrestuan deputeten Donika Kadaj-Bujupi duke mbrojtur “Zajednicën”.

“Ne të gjithë u bashkuam rreth një qëllimi të përbashkët që këto marrëveshje të mos kalojnë. Madje duke qenë të obliguara edhe në forma të padëshiruara të kundërshtojmë marrëveshje që cenojnë rendin kushtetues, pra shkelin Kushtetutën e Ko sovës duke lejuar krijimin e një mini-shteti serb brenda Kosovës dhe duke gjymtuar territorin tonë duke dhuruar Malit të Zi mbi dhjetë mijë hektar tokë. Pra, ne treguam përkushtimin tonë që të mos kalojnë me asnjë çmim. Si kundër reagim këta dy njerëz të veshur me pushtet urdhëruan si dy diktator diku në një sallë a bufe të Kuvendit me një fjalor të egër ndjekjen e deputetëve opozitar që me këmbëngulje po i kundërshtojnë marrëveshjet me Serbinë. Me urdhër të këtyre dy burrecëve u arrestuar deputetja Donika Kadaj-Bujupi”, tha ajo.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Durguti tha se kanë vendosur t’i ftojnë gratë në manifestimin e nesërm, duke vlerësuar se rëndësia e tyre është e jashtëzakonshme. Ajo tha se duhet të dalin nesër të gjithë edhe për të festuar, por edhe për të kundërshtuar dy marrëveshjet, sipas saj shumë të dëmshme për vendin.

“Ne vendosëm t’iu ftojmë juve grave për disa arsye. Ju përveç që paraqisni gjysmën e popullsisë, ju jeni edhe territori social i kombit, ju jeni ato që siguroni zgjatimin e kombit nëpër shekuj, prandaj prania juaj është jashtëzakonisht e madhe”, tha Dërguti.

Edhe Selvije Rexhepi nga Nisma për Kosovën, duke u bërë thirrje grave që të dalin në manifestimin e nesërm, theksoi se kanë arsye madhore pse duhet të dalin nesër. Sipas saj, duhet të ndalen marrëveshjet që e bosnjëzojnë Kosovën dhe i falet territor Malit të Zi.

“Për vet faktin që jemi tubuar sot këtu, dëshmon se kemi një arsye madhore nga e cila nuk mbeti rrugë tjetër. Sot jemi tubuar për të protestuar kundër dy marrëveshjeve që udhëheqësit e Kosovës kanë nënshkruar me Serbinë, krijimin e të ashtuquajturës Zajednicë brenda territorit të Kosovës dhe demarkacionin me Malin e ZI. Për dhënien e territorit dhe tkurrjen e Kosovës, bosnjëzimin e Kosovës, ne nuk do ta lejojmë, por nuk do ta lejoni as ju”, theksoi ajo.

Manifestimi i opozitës së bashkuar do të mbahet nesër në orën 14:00 në kundërshtim të marrëveshjes për Asociacionit dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat