Komunitetet akuzojnë ministrin dhe Rektorin për mos regjistrim të pakicave në Universitetin e Prishtinës

Kosova

Komunitetet akuzojnë ministrin dhe Rektorin për mos regjistrim të pakicave në Universitetin e Prishtinës

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 15:29

(E plotësuar)-Komunitetet pakicë kanë kërkuar nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu që t’iu mundësohet një numri të studentëve nga komunitetet që të regjistrohen në UP, sepse janë lënë jashtë në afatin e parë

Madje, ata kanë quajtur diskriminim mos hapjen e konkursit në afatin e dytë për ta plotësuar kuotën që ka UP-ja për komunitetet. Por, Bajrami e Zejnullahu në mbledhjen e Komisionit për Komunitete dhe Kthim, thanë se numri i atyre që kanë mbetur jashtë nuk është pse ka dashur dikush, por pse nuk i kanë plotësuar kushtet.

Deputeti nga komuniteti boshnjak Qerim Bajrami tha se me vite të tëra, janë regjistruar nga 20 deri 30 studentë nga të gjitha komunitetet, që do të thotë vetëm 10 përqind të vendeve të rezervuara janë plotësuar.

Bajrami: Po tregojmë vullnet për të studiuar në UP, por s’po gjejmë vullnet tek ju

“Për fat të keq zotëri Zejnullahu në tri vitet e fundit qysh kur është lajmëruar vullneti të komuniteti boshnjak që të studiojnë në Universitetin e Prishtinës, për fat të keq nuk kemi vullnetin e mirë nga ana e juaj që të dal karshi këtyre studentëve dhe të gjendet mënyra që ata të regjistrohen. Kjo nuk do të thotë që përputhet me mandatin e juaj dhe mos e nënkuptoni personalisht, por për fat të keq për tri apo katër vite kemi një numër shumë të vogël të studentëve të regjistruar në UP dhe për neve boshnjakëve është shumë me rëndësi duke marr parasysh nivelin e proceseve integruese që kemi pasur para vetës”, tha Bajrami.

Deputeti i komunitetit Egjiptian Veton Berisha ka kërkuar nga ministri Bajrami dhe rektori Zejnullahu që t’iu jepet mundësi komuniteteve që të regjistrohen në UP, sepse ata nuk po kërkojnë mëshirë, por mundësi.

Madje, Berisha nuk ka dashur që përjashtimin e komuniteteve nga konkursi i dytë të jetë bërë si shkak i rritjes së cilësisë, për të cilën gjë ka përgëzuar këmbënguljen e rektorit.

Berisha: Nuk duam mëshirë, por mundësi

“Zotëri rektor dhe zotëri ministër nuk po kërkojmë mëshirë, por po kërkojmë mundësi, po kërkojmë hapësirë brenda institucioneve publike të cilat janë institucione që kemi ndërtuar edhe ne, jemi pjesë e ndërtimit të tyre, edhe janë gjëra që ne po mendojmë se ka ardhur koha e shfrytëzimit të tyre sepse janë të mira të përbashkëta”, theksoi Berisha.

Ndërsa, deputeti nga komuniteti shkali Danush Ademi tha se UP-ja dhe Ministria e Arsimit po ua merr një të drejtë komuniteteve që së paku edhe ata të jenë në bankat shkollore sikurse të tjerët duke mos ua dhënë të drejtën që të regjistrohen në konkursin e dytë.

Ademi: Nuk po respektohet kuota

“Sipas statistikave që kemi, janë 328 vende që kemi të rezervuara, 86 për boshnjak, 73 për turq, për romë 47, shkali 47 dhe 47 janë egjiptia në. Kjo është një e drejtë që vazhdimisht kemi kërkuar. Për çfarë arsye, është viti i dytë rektor, nuk po mund ta kuptojmë për çfarë arsye nuk iu ipet kjo e drejtë. Në konkursin e parë studentët nga komuniteti ynë kanë aplikuar. Kemi këtu, ku thotë nëse kalon 40 për qind e pikëve do të pranohet, ne kemi këtu disa studentë, që kanë kaluar me 59, 49, poenë dhe këta nuk janë së bashku me kolegët e tyre në fakultet”, tha Ademi.

Mirëpo, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe rektori i UP-së “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu u janë përgjigjur shqetësimeve të deputetëve të komuniteteve, duke thënë se në asnjë moment nuk i kanë diskriminuar komunitetet.

Ministri Bajrami tha se asnjë shtet i rajonit nuk ndanë bursa me shumë se sa Kosova për nxënësit e komuniteteve, që tregon se po kujdesën mjaftë shumë për ta.

Bajrami: Kosova ka vullnet për t’i mbështetur komunitetet

“Dëshiroj të theksoj se ne qysh sot kemi nënshkruar kontratën për furnizimin me libra, besoj e keni marr vesh. Dhe ky është një kujdes i shtetit, duhet të falënderohesh sepse ne nuk kemi mundësi nga Bosnja të marrim asnjë vizë qoftë për të shkuar në një konferencë shkencore, qoftë për të quar një student atje. Kurse, ne kemi marr libra me para nga shteti pa iu nënshtruar vlerësimit të kurrikulave dhe i kemi shpërndarë të studentët boshnjak. Kjo është diçka që e bënë vetëm Kosova me një vullnet të mirë”, tha Bajrami.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Ramadan Zejnullahu ishte paksa më i ashpër, duke iu thënë atyre që të mos bëjnë akuza dhe të përdorin etiketime të ndryshme.

Zejnullahu tha se kanë dhënë kuota, por të gjitha përpjekjet që po i bëjnë që të kenë një shkollë cilësore, ende n uk e kanë, dhe ata nuk po tregojnë rezultate. Sipas tij, askush nuk i ka diskriminuar komunitetet, por mos regjistrimi i tyre ka ardhur si pasoj e mos arritjes së rezultateve. Madje, tha se zyrat për komunitete kanë keqpërdorur lëshimin e certifikatave, pasi ua kanë lëshuar shumë shqiptarëve certifikata të tilla për ta shfrytëzuar kuotën.

Zejnullahu: Nuk kanë mbetur pse dikush ka dashur, por pse s’i kanë plotësuar kushtet

“Në të kaluarën keni dhënë vërtetime në zyrën e komuniteteve, mjaftë keni dhënë shqiptarëve dhe ka qenë një lloj biznesi. Ju them të drejtën se unë kam informacione në mjekësi që janë dhënë vërtetime shqiptarëve që i takojnë komunitetit romë, ashkalinjë, e tjera. Dhe, ju së pari duhet t’i sqaroni problemet brenda vetvetes...Edhe një herë duhet të mendojmë që këta nuk kanë mbetur jashtë 328 pse dikush ka dashur t’i lënë jashtë, por pse s’i kanë plotësuar kushtet. Dhe, kanë pasur mundësi në afatin e dytë, pa marr parasysh se nuk është shpall konkursi të garojnë në plotë drejtime ku me 12 pikë do të pranoheshin pa u paraqitur fare se janë të komuniteteve”, tha Zejnullahu.

Sipas rektorit Zejnullahu, komunitetet po të garonin në drejtimet si infermieri, makineri apo diku tjetër ata do të pranoheshin vet, sepse përpos kuotës ata e kanë të drejtën edhe jashtë kuotës të konkurrojnë. Por, sipas tij, komunitetet janë duke u fokusuar në fakultete specifike siç janë Mjekësia, Shkencat Politike, e tjera, ku është më vështirë të regjistrohen.

​Komunitetet kërkojnë përgjigje për regjistrim në afatin e dytë në fakultet

Komunitetet pakicë kanë kërkuar nga ministri i arsimit dhe rektori i UP-së përgjigje se pse nuk është hapur konkursi i dytë për pranimin e komuniteteve në UP.

Në mbledhjen e Komisionin për Komunitete dhe Kthim Arsim Bajrami e Ramadan Zejnullahu thanë se nuk duhet t'i plotësoj kushtet sepse në asnjë mënyrë nuk janë diskriminuar komunitetet për tu regjistruar në UP.

Deputetët e komuniteteve kërkuan nga Bajrami e Zejnullahu që t'iu jepet mundësi pakicave për tu regjistruar në mënyrë që të mos mbesin rrugëve.

Ata thanë se nuk duan lëmosh por vetëm mundësi.

Por Zejnullahu tha se edhe zyrat për komunitete po lëshojnë certifikata edhe për njerëz që nuk janë të pakicave duke kërkuar që komunitetet ti zgjidhin problemet brenda vetvetes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat