Jahjaga diskuton me Ambasadorin Reichel për dhunën në Kuvend

Kosova

Jahjaga diskuton me Ambasadorin Reichel për dhunën në Kuvend

Më: 12 tetor 2015 Në ora: 16:12

Presidentja Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin, Ernst Reichel me të cilin ka diskutuar për gjendjen politike në vend dhe agjendën evropiane të Kosovës.

Jahjaga e njoftoi Ambasadorin Reichel me qëndrimin e saj rreth zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës duke e quajtur dhunën e ushtruar nga disa deputetë të opozitës në Kuvend si të papranueshme dhe sjellje që bie ndesh me normat e një demokracie parlamentare. Ajo theksoi se ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të kontribuojnë në shtensionimin e gjendjes në Kuvend dhe në respektimin e procesit demokratik.

Jahjaga po ashtu theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për agjendën evropiane e cila pritet të konkretizohet me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim deri në fund të vitit dhe përmbylljes së dialogut për liberalizim të vizave, si dy hapa të parë në proceset integruese të Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga falënderoi Gjermaninë dhe shtetet tjera partnere të Kosovës që po mbështesin anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO dhe organizma tjerë ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat