LDK reagon ndaj dënimit simbolik të aktivistëve të VV-së

Kosova

LDK reagon ndaj dënimit simbolik të aktivistëve të VV-së

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 20:20

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se dënimet simbolike për aktet vandale dhe sulmet e orkestruara të disa të ashtuquajturve aktivistë të një subjekti politik opozitar.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj dënimit simbolik të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sulmuan me vezë kryeministrin Isa Mustafa në Podujevë, duke konsideruar se ky është një lloj inkurajimi dhe nxitje për vazhdim të formave të tilla të sjelljes.

Duke rikonfirmuar respektin dhe mbështetjen e parezervë për punën dhe pavarësinë e organeve të drejtësisë, Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se dënimet simbolike për aktet vandale dhe sulmet e orkestruara të disa të ashtuquajturve aktivistë të një subjekti politik opozitar, vështirë se do të parandalojnë sulme të tjera të paralajmëruara ndaj bartësve të institucioneve, qytetarëve, pronave private dhe publike në Kosovë, në të ardhmen, thuhet në reagimin e LDK-së.

"Pa dashur që në asnjë formë të ndikojmë në punën e organeve gjyqësore, vlerësojmë se dënimi prej 150 eurosh për një sulm të përsëritur ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, është një lloj inkurajimi dhe nxitje për vazhdim të formave të tilla të sjelljes".

"Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet pa asnjë ekuivok punën dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor të Kosovës, ashtu siç, ndryshe nga disa subjekte opozitare, mbështet pavarësinë, e respekton himnin, flamurin, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe angazhohet për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian", thuhet në reagim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat