Flora Brovina nuk ndërron qëndrim, është kundër Gjykatës Speciale

Kosova

Flora Brovina nuk ndërron qëndrim, është kundër Gjykatës Speciale

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 16:15

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me themelimin e Gjykatës Speciale. Ajo ka thënë se do të votoj kundër, apo edhe të abstenoj.

Brovina ka thënë se nesër nuk do të votojë pro themelimit të Gjykatës Speciale. “Do të abstenoj ose do të jem kundër”, ka thënë ajo. Ajo më tutje ka dhënë edhe arsyet e saja për qëndrimin kundër.

“Kjo Gjykatë është e tepërt sepse ka qenë Haga, UNMIK-u dhe EULEX-i. Me themelimin e kësaj Gjykate neve po na vihet një barrë sikur luftërat në ish-Jugosllavi i kemi bërë ne”, ka shpjeguar ajo.

Veç Brovinës, qëndrim kundër Gjykatës Speciale kanë edhe të paktën tre deputetë të PDK-së, Ganimete Musliu, Nait Hasani dhe Fadil Demaku. Ndërkaq deputetët tjerë që kishin votuar kundër kanë vendosur të heshtin para seancës së nesërme kur pritet të votohet Gjykata Speciale.

Xhevahire Izmaku, Fadil Beka e Rafet Rama s’kanë dashur të flasin. Njësoj kanë vepruar edhe deputetët tjerë të PDK-së të cilët kishin abstenuar si Bekim Haxhiu, Blerta Deliu-Kodra, Nuredin Lushtaku e Salihe Mustafa. Vetëm Raif Qela, i cili është deputet në listën e PDK-së nga Lëvizja për Bashkim, ka thënë se ka mundësi të votojë pro themelimit të Gjykatës Speciale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat