Mbështetet në parim hapja e studimit në gjuhën boshnjake në UPZ

Kosova

Mbështetet në parim hapja e studimit në gjuhën boshnjake në UPZ

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 22:51

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, prof. dr. Ramë Vataj, bashkë me Ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami, kanë takuar sot përfaqësuesit e komunitetit boshnjak, të kryesuar nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Dude Balje, për të diskutuar rreth kërkesave të këtij komuniteti për hapjen e një drejtimi të ri në gjuhën boshnjake në kuadër të Fakulteti Ekonomik të UPZ-së.

Sipas komunikatës së UPZ-së, ministri Bajrami dhe Rektori Vataj janë shprehur se e mbështesin në parim një kërkesë të tillë dhe se në kuadër të mundësive dhe kapaciteteve që ka UPZ do të punojnë që kjo të bëhet realitet në të ardhmen.

Ministri Bajrami ka theksuar se janë të vullnetit që të hapin edhe një drejtim të ri në gjuhën boshnjake në UPZ, duke shtuar se do të angazhohet që të gjenë edhe kuadro që do të japin mësim në këtë fakultet.

Rektori Vataj ka rikujtuar se e ka theksuar disa herë që mbështet hapjen e programeve të reja në gjuhën boshnjake dhe turke, por duhet të plotësohen kushtet ligjore. Ai ka thënë se kërkesa është trajtuar në Senatin e UPZ-së, mirëpo është konsideruar se është bërë me vonesë, për shkak të kohës së shkurtër për të përgatitur të gjithë materialin përkatës dhe gjithashtu është theksuar se ekziston problemi i nostrif ikimit të diplomave të shumicës së kuadrove nga ky komunitet.

Vataj gjithashtu ka thënë se duhet të rritet numri i punëtorëve të lejuar që të angazhohen në UPZ dhe buxheti përkatës, të cilën gjë mund ta bëjë Kuvendi i Kosovës, ku znj. Balja është nënkryetare.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuese e komunitetit boshnjak që ka bërë këtë kërkesë, Dude Balje, ka theksuar nevojën për hapjen e një drejtimi të ri në gjuhën boshnjake në kuadër të Ekonomikut, në bazë të mundësive që janë. Ajo është shprehur e vetëdijshme për problemet aktuale që janë dhe ka theksuar që do të punojnë bashkarish që ato të rregullohen, thuhet në komunikatën pas takimit./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat