Jevtiq: Korrupsioni problem për veriun

Kosova

Jevtiq: Korrupsioni problem për veriun

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 13:06

Menaxherja e projektit të organizatës joqeveritare “Qendra për Promovimin e Kulturës Demokratike”, Milena Jevtiq, sot ka deklaruar se hulumtimi i bërë në veri të Kosovës, ka treguar se korrupsioni është një nga problemet më kryesore të shoqërisë.

Jevtiq për Tanjug ka thënë se hulumtimi në të cilin kanë marrë pjesë rreth 250 banorë të katër komunave serbe në veri të Kosovës, ka treguar se qytetarët janë të vetëdijshëm që korrupsioni ekziston dhe është një nga “problemet kryesore”, transmeton Klan Kosova.

“Sipas mendimit të qytetarëve, korrupsioni është më shumë i përhapur në polici, shëndetësi, arsim dhe pasohet nga gjykata dhe doganat, por prapa nuk mbesin as administrata qendrore dhe komunale”, ka thënë Jevtiq.

Ajo shtoi se disa nga të gjeturat e “Fushatës Antikorrupsion në Veri të Kosovës”, i cili është kryer në gjashtë muajt e fundit, është se korrupsioni duhet të luftohet sistematikisht dhe duhet inkurajuar qytetarët që të raportojnë në polici dhe në institucionet kompetente.

Ndërkaq, shefi rajonal i policisë operative kosovare, Zeljko Bojiq ka përkujtuar se Policia Rajonale në veri të Kosovës është formuar në gjysmën e dytë të shtatorit të vitit 2013.

“Që nga ajo ditë e deri më sot e kemi pasur të regjistruar vetëm një rast të korrupsionit, gjegjësisht akuzat kundrejt policit, i cili ishte në zinxhirin tonë komandues”, tha Bojiq, duke shtuar se rreth këtij rasti është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Nga ana tjetër, shefja e zyrës administrative për veriun, Adriana Hoxhiq, vlerëson se i takon udhëheqësve lokalë të ndihmojnë në krijimin e një mekanizmi me të cilin do të nisej lufta kundër korrupsionit.

“Unë jam e kënaqur me faktin që ky raport e ka konfirmuar se korrupsioni ekziston, dhe ekziston në të gjitha aspektet. Ne duhet t’i përforcojmë mekanizmat me të cilat do të luftojmë kundër anomalive të tilla të shoqërisë”, tha Hoxhiq.

Ajo gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar nga OJQ “Qendra për përfaqësimin e kulturës demokratike” në Mitrovicë, ka thënë se korrupsioni nuk paraqitet vetëm në veri të Kosovës, por në të gjithë regjionin, por që këtu është më i veçantë për shkak të mungesës së gjatë të sundimit të ligjit.

Hoxhiq i ka porositur qytetarëve që të mos jenë pjesë e zinxhirit të korrupsionit dhe të mos japin ryshfet, ndërsa atyre që janë në shërbime, të respektojnë etikën e punës që po e kryejnë dhe të jenë të kënaqur me faktin se janë në gjendje t’i ndihmojnë bashkëqytetarëve.

Më tej raportohet se në plan është ngritja e forumit antikorrupsion, i cili do t’i bënte bashkë organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile, në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria e veprimeve antikorrupsion në veri të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat