Gjakova mbështetet nga Torino në fushën e arsimit dhe ekonomisë (Foto)

Kosova

Gjakova mbështetet nga Torino në fushën e arsimit dhe ekonomisë (Foto)

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 21:52

Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila dhe kryetari i Komunës së Torinos Piero Fassino kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi, me të cilën parashihet përkrahja e qytetit italian për Gjakovën në më shumë fusha, njoftoi shërbimi për informim i Komunës së Gjakovës.

Sipas komunikatës, që nga viti i kaluar, kur është zhvilluar takimi i parë me Fassinon, është diskutuar për bashkëpunimin e mirëfilltë të Gjakovës me komunën e dytë industriale në Itali (pas Milanos), ndërsa sot është konkretizuar kjo marrëveshje.

Marrëveshja ka për synim bashkëpunimin në mes dy Komunave për qeverisje të mirë - e-qeverisja, bashkëpunimin ekonomik dhe promovimin e ndërsjellë të investimeve dhe bizneseve, bashkëpunimin akademik në mes të dy universiteteve publike të Torinos dhe Universitetit të Gjakovës, por edhe studentëve nga Gjakova të cilët synojnë avancimin në Torino, si dhe bashkëpunimin kulturor dhe artistik në mes të trupave dhe grupeve artistike në Gjakovë.

“Gjatë këtij takimi në mes të dy kryetarëve të komunave janë identifikuar rezultatet konkrete të marrëveshjes. Universiteti i Torinos, degët Infermieri dhe fizioterapi do të fillojnë bashkëpunimin me Universitetin e Gjakovës. Do të ofrohen bursa për të rinj nga Komuna e Gjakovës për studime në dy universitetet e Torinos. Universiteti i Torinos do të përcaktojë formën e asistencës për themelimin dhe menaxhimin e Bibliotekës Universitare në Gjakovë.

Në fushën ekonomike, do të ofrohet zyre e përhershme për kompanitë italiane nga Torino në Gjakovë, si dhe do të përcaktohen sektorët prioritarë për kompanitë nga Torino në lidhje me kompanitë nga Gjakova, Kosova dhe Shqipëria. Do të organizohet prezantimi i mundësive investive të Gjakovës/Kosovës në Torino.

Vizita e radhës e delegacionit teknik nga Komuna e Torinos në Gjakovë do të bëhet në fund të muajit korrik, kur do të organizohet konferenca për promovimin e investimeve në Gjakovë.

Gjatë këtij takimi të përbashkët, kryetarja Mimoza Kusari Lila, u shprehu falënderime të veçanta Komunës së Torinos dhe kryetarit Fassino për kujdesin dhe konsideratën që Komuna e treguar për Komunën e Gjakovës , si një komunë shumë më e vogël në krahasim me Torinon. Nga ana e tij, z. Fassino, shprehu konsideratën e tij për popullin e Kosovës dhe mirënjohjen e thellë për veprimtarë të shquar nga Komuna e Gjakovës. Ai nderoi në veçanti emrin dhe punën e prof. Fehmi Aganit, me të cilin kishte pasur rast të takohej disa herë, kur z. Fassino ishte pjesë e kabinetit qeveritar. Z. Fassino u shpreh i gatshëm të ndihmojë komunat dhe pushtetet lokale të vendeve të cilat aspirojnë BE, dhe Gjakova nga Kosova është një prej komunave me cilën me kënaqësi do ta ndihmojë në proces të agjendës Evropiane”, thuhet në komunikatë./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat