Triumfoi arsyeja - Isa Boletini rivarroset në Boletin

Kosova

Triumfoi arsyeja - Isa Boletini rivarroset në Boletin

Më: 26 maj 2015 Në ora: 19:45

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri falënderon kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, Qeverinë e Kosovës dhe Këshillin për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini, për anulimin e vendimit paraprak të Këshillit, me të cilin parashihej që eshtrat e heroit Isa Boletini të rivarrosen në Vlorë, e jo në vendlindjen e tij, në Boletin.
“Vendimi që sot mori Këshilli për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini, në vendlindjen e tij në Boletin, sipas agjendës së përcaktuar më parë (më 10.06.2015), nga Qeveria e Kosovës dhe Këshilli për Rivarrim, është vendimi i vetëm i drejtë dhe njerëzor. Unë falënderoj shumë kryeministrin, Isa Mustafa dhe Qeverinë e Kosovës, që i sugjeruan Këshillit për rivarrim që të ndryshoj vendimin, si dhe anëtarët e Këshillit, të cilët unanimisht vendosën ta anulojnë vendimin e tyre të mëparshëm, duke respektuar kështu amanetin e vet heroit Isa Boletini, dëshirën e familjarëve të tij dhe vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës, të Republikës së Kosovës dhe më gjerë, që rivarrimi të bëhet në Boletin”, thotë kryetari Bahtiri.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, në veçanti falënderon familjarët e heroit Isa Boletini për këmbëngulësinë e tyre, presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, qytetarët e Mitrovicës, institucionet tjera të vendit, kryetarët e shumë komunave të Kosovës, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, intelektualët e shumtë, shoqërinë civile, Bashkësinë Islame dhe të gjithë të tjerët, që në mënyrë të vendosur e mbështetën në kërkesën e tij të drejtë dhe shprehen vullnetin e tyre, që eshtrat e heroit Isa Boletini të rivarrosen aty ku e kanë vendin, në Boletinin e Shalës së Bajgorës, në Mitrovicë.
Duke shtuar se sot, ai, familjarët e Isa Boletinit, qytetarët e Mitrovicës dhe më gjerë, i janë gëzuar këtij vendimi të arsyeshëm të Këshillit për rivarrim, kryetari Bahtiri, Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit për rivarrim, ju premton angazhim të pa kursyer dhe bashkëpunim të ngushtë, për të vazhduar përgatitjet sipas agjendës së paraparë dhe për të realizuar me sukses këtë obligim të rëndësishëm shtetëror dhe kombëtar.
“Heroi Isa Boletini, për të cilin u pa se qytetarët e Mitrovicës dhe gjithë shqiptaria kanë dashuri dhe respekt të jashtëzakonshëm, meriton që të rivarroset në mënyrë të dinjitetshme dhe me nderime më të larta shtetërore, me qëllim që më në fund të prehet në paqe në vendlindjen e tij”, tha kryetari Bahtiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat