​Bashkëpunimi i Bankave Qendrore ndihmon në Integrimin Evropian

Kosova

​Bashkëpunimi i Bankave Qendrore ndihmon në Integrimin Evropian

Më: 27 mars 2015 Në ora: 13:37

Inkuadrimi i Republikës së Kosovës, dhe shteteve fqinje në sistemin evropian të Bankave Qendrore është qëllimi kryesor i programit për Bankat Qendrore të Kosovës dhe vendeve të rajonit, të Shqipërisë përkatësisht të Maqedonisë.

Kështu është thënë sot në konferencën përmbyllëse të programit i cili ka zgjatur 6 muaj, dhe i cili është mbështetur nga Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësues të Bankës Qendrore të Shqipërisë përkatësisht të Maqedonisë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza tha se ky program ka pasur qëllim inkuadrimin e BQK-së në sistemin evropian të bankave qendrore.

Hamza: Programi kishte qëllim inkuadrimin e BQK-së në sistemin evropian të Bankave Qendrore.

“Ky program i financuar nga Komisioni Evropian dhe i koordinuar nga Banka Qendrore Evropiane u lansua një vit më parë me qëllim t’u ndihmojë të tri bankave qendrore të regjionit tonë, për inkuadrimin në sistemin evropian të Bankave Qendrore.”, u shpreh Hamza.

Gjatë gjashtë muajve të këtij programi, janë analizuar nevojat e Bankës Qendrore të Kosovës në shtatë fusha të ndryshme. Bedri Hamza tha se janë analizuar nevojat në fushën e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes bankare, sistemit të pagesave, integrimeve evropiane, teknologjisë së informacionit të administratës dhe auditimit të brendshëm.

Hamza: U analizuan nevojat e BQK-së në shtatë fusha të ndryshme

“Gjatë gjashtë muajve të fundit u analizuan nevojat e Bankës Qendrore të Kosovës për zhvillime ligjore, organizative dhe resurseve në shtatë fushat e veprimtarisë së saj: Stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare, sistemi i pagesave, integrimet evropiane, teknologjia informacionit, administrata dhe auditimi i brendshëm”, tha Hamza.

Ndërsa, Gilles Noblet zyrtari për marrëdhënie ndërkombëtare dhe kooperative në Bankën Qendrore Evropiane tha se bashkëpunime të këtij lloji janë një shembull i mire në mënyrë që t’u ndihmohet shteteve të caktuara për integrim në BE.

Noblet: Ky program, një shembull i mirë i bashkëpunimit

“Puna jonë është shembull i mirë se si Institucionet evropiane punojnë së bashku në mënyrë që shtetet kandidate për integrim në BE, dhe shtetet potenciale për kandidaturë të përfitojnë. Unë gjithmonë kam dëshirë të them që bankat qendrore janë familje, janë komunitet dhe bashkëpunimet e këtij lloji janë shembulli më i mirë i kësaj familjeje”, tha Noblet.

Në anën tjetër Libor Chlad nga Zyra e BE-së në Kosovë tha se të gjitha bankat qendrore luajnë një rol të veçantë në rastet e krizave ekonomike dhe turbulencave në ekonomi.

Chlad: Bankat qendrore kanë rol të veçantë në turbulenca ekonomike

“Të gjitha këto banka qendrore luajnë rol të veçantë gjatë krizave, vështirësive dhe turbulencave në ekonomi”, tha Chlad.

Një arsye tjetër pse ky kooperim është i rëndësishëm është perspektiva e shteteve të Ballkanit perëndimor në Bankën Qendrore Evropiane.

Chlad: Mësoni nga eksperienca e njëri tjetrit

“Perspektiva evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor është një arsye tjetër që bankat qendrore të kooperojnë dhe të mësojnë nga eksperienca e njëri tjetrit”, tha Chlad.

Kjo konferencë ishte organizuar me rastin e përmbylljes së programit për bankat qendrore në shtetet e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë./F.Sylka/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat