Vetëvendosje: RTK-në e ka themeluar Kuvendi e jo Kadri Veseli

Kosova

Vetëvendosje: RTK-në e ka themeluar Kuvendi e jo Kadri Veseli

Më: 4 mars 2015 Në ora: 18:30

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur tejet e shqetësuar me zhvillimet në Radio Televizionin Publik të Kosovës, e sidomos ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe degradimin që po i bëhen këtij mediumi.

Në një reagim të kësaj partie, thuhet se RTK është bërë çerdhe e punësimit për grupe të ngushta interesi si dhe mjet propagandues në duart e pushtetit, si dhe i shkeljeve ligjore nga vet menaxhmenti i tij.

“Mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies, animet politike në programet informative, keqmenaxhimi i financave, janë vetëm disa nga shkeljet që e shoqërojnë këtë institucion tani e sa vite. Rasti i fundit i emërimit të redaktorëve të lajmeve dhe kryeredaktorit të Kanalit 5, ku njëri nga të emëruarit, Ismet Hajrullahu, bashkëshorti i anëtares së bordit, Majlinda Hajrullahu, është në konflikt të drejtpërdrejtë të interesit dhe përbën shkelje të nenit 25 dhe nenit 27 të Ligjit për RTK-në, si dhe është vetëm një shembull në vazhdën e shkeljeve të vazhdueshme që janë bërë në këtë institucion publik”, thuhet në reagim.

Vetëvendosje përkrahim plotësisht protestën e sotme të redaktorëve të dhomës së lajmeve dhe personelit në përgjithësi, siç kanë thënë, kundër emërimeve politike në këtë medium, dhe vënies së tij në shërbim të këtij pushteti që i ka kapur edhe institucionet tjera publike.

“Bordi i RTK-së, si organi më i lartë, duhet të fillojë të ushtrojë funksionin e vet mbikëqyrës dhe t’i adresojë shqetësimet e ngritura, në veçanti nga Sindikata e Punëtorëve dhe redaktorët e RTK-së, për t’i dhënë fund shkeljeve ligjore dhe ndërhyrjeve në pavarësinë editorial të këtij institucioni. Themelues i RTK është Kuvendi i Kosovës e jo Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili po e trajton këtë institucion si të ishte prona e tij private, duke bërë ndërhyrje të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejta në politikat redaktuese të këtij institucioni”, thuhet në reagim.

Kuvendi i Kosovës si themelues dhe financuesi kryesor i RTK, përmes komisionit parlamentar për administratë publike, qeverisje lokale dhe media, sipas LVV-së, duhet të kujdeset për mënyrën e shpenzimit të parasë publike nga institucioni i RTK si dhe ky institucion t’i kthehet interesit të publikut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat