​BE përkrah shefin e EULEX-it, nuk reagon për informatat

Kosova

​BE përkrah shefin e EULEX-it, nuk reagon për informatat

Më: 27 tetor 2014 Në ora: 21:36

Bashkimi Evropian përkrah shefin e misionit të EULEX-it dhe nuk reagon në lidhje me informatat që dalin në media e që bazohen në dokumentet kinse të dala nga zyrat e këtij misioni.
Kështu deklaroi Maja Kocijancic, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton lidhur me publikimet e sotme në media për korrupsion në mesin e prokurorëve të EULEX-it.
Përfaqësuesja për shtyp e baroneshës Ashton, thotë për RTK-në se edhe në rast të keqbërësve të mundshme të çfarëdolloj brenda misionit, adresa ku qartësohen gjërat sipas saj është nëpërmjet të proceseve gjyqësore ku dëshmohet e vërteta, e jo para gjyqit të opinionit publik.
Ndonëse në prononcimet publike i qëndrojnë besnik punëtorëve të tyre në Kosovë, megjithatë zyrtarët e Brukselit në biseda që zhvillohen në kushte anonimiteti, pranojnë se ka keqpërdorime të pozitave zyrtare në misionin evropian në vend, shkruan RTK.
Një zyrtar evropian madje pranon se Brukseli ka njohuri në lidhje me pohimet e bëra në media sot, dhe se po zhvillohen hetimet e brendshme. Këta zyrtarë nënvizojnë se EULEX-i e ka mandatin e vështirë kur merret me çështje që konsiderohen sensitive andaj edhe kjo pozitë e vë Misionin në shënjestër ku, jo rrallë sipas tyre, bëhen aludimet e qëllimshme për të minuar punën e misionit.
EULEX është misoni më i madh dhe më i shtrenjti i të gjitha kohërave i Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të ligjit. Në fillim ky mision i ka kushtuar taskapaguesëve evropianë gati 1 milion euro ne ditë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat