Jahjaga bënë thirrje për bashkëpunim në formimin e institucioneve

Kosova

Jahjaga bënë thirrje për bashkëpunim në formimin e institucioneve

Më: 18 tetor 2014 Në ora: 14:40

Presidentja Atifete Jahjga ka bërë thirrje për përkushtim më të madh në të mirë të vendit. Ajo në fjalimin e saj në shënimin e “Darkës së Lamës”, ka thënë se festimi i kësaj ngjarje, duhet të shërbejë për të gjitha subjektet politike, që të bashkëpunojnë në formimin e institucioneve të reja.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalimin e saj gjatë festimit të ngjarjes “Darka e Lamës”, ka bërë thirrje që të shtohet bashkëpunimi për të mirën e vendit dhe formimin e institucioneve.

Ajo ka thënë se “Darka e Lamës”, është festë sepse simbolizon përfundimin e punës së një viti nga njerëzit, ku edhe sigurohet buka.

Lexojeni fjalimin e plotë të presidentes Jahjaga:

Darka e Lamës, një manifestim i lashtë tradicional i popullit tonë që sivjet organizohet në Gjakovë, në Lamën e Drithit, e simbolizon festën e gëzimit të njeriut që i ka përfunduar të gjitha punët e motmotit, duke sjellë mbi të gjitha gëzimin për bereqetin e tokës sonë.

Në këtë ditë i falënderohemi Zotit për të gjitha të mirat që na i ka sjellë, e nderojmë punën dhe angazhimin e bujkut, për prodhim cilësor dhe të bollshëm, dhe mblidhemi të gjithë rreth sofrës tonë të përbashkët, duke paraqitur secila shtëpi prodhimet më të mira që i ka dhe duke i ndarë bashkërisht me të tjerët.

Darka e Lamës është një festë gëzimi, sepse është siguruar buka e motmotit, është një festë e begatisë dhe e të mirave, që na i ka falë natyra, është një festë solidariteti dhe e punës së përbashkët të njerëzve që ndihmojnë njëri – tjetrin.

Të shtojmë përpjekjet dhe angazhimin që t’i dalim zotë kësaj toke, duke bashkëpunuar dhe duke gjetur rrugën më të mirë për ndërtimin e institucioneve të përgjegjshme, të qëndrueshme dhe demokratike, për të çuar përpara vendin, për prosperitet, zhvillim e mirëqenie.

Duke ruajtur traditat tona më të mira të dëshmojmë urtësi e dinjitet, të përjetësojmë idealet e të gjithë brezave që e deshën Kosovën vend të lirë e demokratik në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vend anëtar të Bashkimit Evropian dhe i NATO-s.

Le t’i shijojmë të gjithë prodhimet e tokës tonë

Të falënderojmë Zotin për të mirat që na i ka dhënë

Zot ruaje Kosovën, Zot ruaje popullin e Kosovës, Zot ruaji miqtë tanë.

Ju faleminderit dhe mirë se keni ardhur në këtë sofër tonë të përbashkët këtu në Gjakovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat