Krasniqi: Nëse SHIK-u vazhdon të jetë në pushtet, Kosova s'do të ketë kurrë të ardhme!

Kosova

Krasniqi: Nëse SHIK-u vazhdon të jetë në pushtet, Kosova s'do të ketë kurrë të ardhme!

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 27 gusht 2014 Në ora: 10:25

Për të ecur përpara shoqëria e Kosovës, e cila është peng e SHIK-ut, rruga e vetme është largimi i tij nga skena politike. Por, për të ndodhur pastrimi duhet të fillojnë hetimet menjëherë për shumicën e atyre që janë të involvuar në krime të ndryshme duke filluar nga rrëmbimet, plaçkitjet, shantazhet, vrasjet etj.

Përveç kësaj, duhet të merret edhe një vendim që të gjithë kësaj kreature apo udhëheqjes së SHIK-ut, duhet ti ndalohet për jetë marrja me politikë.

Publicisti dhe anëtari i Këshillit të Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faik Krasniqi, thotë për gazetën “Bota sot” se, dihet botërisht që SHIK-u është krijuar nga PDK-ja, dhe sot kemi deputetë nga radhët e këtij shërbimi, duke filluar nga kreu i saj Kadri Veseli.

“Ky shërbim përmes njerëzve të vetë ka futur rrënjët thellë, jo vetëm në institucionet më të rëndësishme të Kosovës, por në çdo qelizë të shtetit, që do të thotë se ky shërbim kontrollon çdo gjë. Para disa viteve një raport i State Departamentit Amerikan, patë deklaruar se SHIK-u inkason mbi 200 milionë dollarë në vit, përmes krimit të organizuar, rekrutimit etj. Në raportin e këtij Departamenti përmenden të gjitha të bëmat e këtij shërbimi prej themelimit të saj”, thotë Krasniqi.

Ai thekson, për ta larguar SHIK-un nga pushteti, Gjykata Speciale duhet të merret me këtë gjë, duke i arrestuar dhe dënuar krerët dhe pjesëtarët e këtij shërbimi, për të gjitha të bëmat e tyre.

“Vetëm atëherë ky shërbim do të largohej nga pushteti, që është futur thellë në çdo institucion të Kosovës dhe kompani të ndryshme publike dhe private. Kur të dënohen përgjegjësit për krimet e ndryshme, skena politike në Kosovë pastrohet nga ata që kanë krijuar pasuri marramendëse dhe i kanë duart me gjak, dhe vetëm atëherë shteti kthehet në normalitetin e saj. Përndryshe, nëse SHIK-u vazhdon të jetë në pushtet, shteti i Kosovës s'do të ketë kurrë një të ardhme”, thotë Faik Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat