Familjarët nuk pranojnë t’i varrosin 16 mbetjet mortore

Kosova

Familjarët nuk pranojnë t’i varrosin 16 mbetjet mortore

Më: 26 gusht 2014 Në ora: 09:06

Tri ditë pasi që u sollën 16 mbetje mortore të shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga forcat serbe, gjatë luftës së fundit në vend, të cilat janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi, janë njoftuar zyrtarisht familjarët e tyre. Zyrtarët e Sektori për Komunikim me Familjarë, në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, të premten nuk kishin njoftuar as familjarët për të dalë që t’i presin eshtrat e familjarëve të tyre. Tek pas tre ditësh ata kanë lëshuar deklaratë për media për njoftimin familjarëve.

Por, familjarët e këtyre 16 viktimave kanë refuzuar që të varrosin më të dashurit e tyre, deri në identifikimin e të gjitha mbetjeve mortore të zhvarrosura në Rudnicë, të Rashkës, të cilat tashmë gjenden të proceduara për identifikim përmes analizës së ADN-së, duke shpresuar dhe pritur kështu në identifikimin edhe të familjarëve dhe bashkëqytetarëve tjerë që vazhdojnë të jenë të evidentuar si persona të zhdukur të luftës.

Ahmet Grajçevci, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të të Zhdukurve në Fushë Kosovë, të premten me rastin e pranim-dorëzimit të trupave të viktimave ka thënë se kjo ishte organizuar në mënyrë shumë të turpshme, të padinjitetshme dhe se një gjë të tillë, sipas tij, nuk e kanë merituar familjarët.

“Për këtë mosinformim të familjarëve, për këtë mostransparencë përgjegjësinë e mban Qeveria e Kosovës, institucionet tjera të vendit, posaçërisht Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe Këshilli Koordinues i Asociacionit të familjarëve të Kosovës”, tha Grajçevci. Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës e kanë ditur datën e dorëzimit të mbetjeve mortore qysh nga 8 gushti dhe, siç tha ai, kanë pasur mjaftueshëm kohë për t’i paralajmëruar familjarët dhe për të organizuar një kthim të dinjitetshëm.

Familjet e personave të identifikuar, përkatësisht gjashtë familjet nga Skenderaj dhe dhjetë familjet nga Drenasi, kërkuan që procesi i rivarrimit të shtyhet deri në përfundim të identifikimeve të të gjitha mbetjeve mortore të zhvarrosura në Rudnicë, të Rashkës, të cilat tashmë gjenden të proceduara për identifikim përmes analizës së ADN-së, duke shpresuar dhe pritur kështu në identifikimin edhe të familjarëve dhe bashkëqytetarëve tjerë që vazhdojnë të jenë të evidentuar si persona të zhdukur të luftës.

Edhe gjatë këtyre takimeve, familjarët e personave të zhdukur, kërkuan edhe një herë nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë trysni ndaj autoriteteve të Serbisë që të kthejnë sa më parë mbetjet mortore të të gjithë personave të identifikuar dhe të ofrojnë informatat për familjarët e tyre të zhdukur gjatë luftës. Në Rashkë thuhet se janë mbi 200 trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe të cilat ishin dërguar atje për të humbur gjurmët.

Në muajin prill të këtij viti në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, ishin gjetur trupat e 16 shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë që pranim-dorëzimi i trupave, para disa ditëve në Merdarë e quajtën të turpshme dhe të padinjitetshme. Disa ditë me radhë familjet e personave të zhdukur në Skenderaj dhe Drenas kanë qëndruar në ankth, për të mësuar se kujt iu përkisnin ata trupa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat