Dy javë nga vrasja e Ruzhdi Shaqirit - ende nuk dihet ku është Gani Geci

Kosova

Dy javë nga vrasja e Ruzhdi Shaqirit - ende nuk dihet ku është Gani Geci

Më: 18 gusht 2014 Në ora: 19:56

Kanë kaluar më shumë se dy javë që kur është vrarë Ruzhdi Shaqiri. Por, edhe për kundër kësaj i dyshuari për vrasjen e tij, Gani Geci vazhdon të mbetet në arrati. Për fatin e Gecit ende nuk dinë asgjë as Policia e Kosovës e as familjarët e tij. Në Polici thonë se janë duke e kërkuar të dyshuarin Geci, derisa në familje tregojnë se ai është jashtë Kosovës por mohojnë të dinë ndonjë informatë tjetër.

Vëllai i Ganiut, Fadil Geci, i ka thënë Gazetës Express se nuk kanë ndonjë informatë se ku mund të gjendet vëllau i tij. Por, thekson se është vendim i familjes që Ganiu të mos dorëzohet përderisa burgjet të jenë në dorën e Sabit Gecit, i dënuar për krime lufte.

"Nuk mund të ketë siguri për Ganiun, përderisa burgjet janë në dorën e një krimineli si Sabit Geci, që është kriminel dhe i dënuar për krime lufte”, ka thënë Fadil Geci për Express.

Ai po ashtu mohon të kenë pasur ndonjë kontakt me Ganiun që nga dita e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit.

E njohuri konkrete për ndodhjen e Gani Gecit nuk kanë as në Policinë e Kosovës.

Zyrtari për informim ne regjionin e Mitrovicës, Avni Zahiti i ka thënë Gazetës Express, se kërkimet për gjetjen e Gani Gecit po vazhdojnë.

Por, sipas tij deri tani nuk ka asgjë konkrete rreth vendndodhjes së tij.

“I dyshuari për vrasje Gani Geci ende mbetet në kërkim”, ka thënë për Express Zahiti.

Ndryshe, Gani Geci kishte pranuar se ka vrarë në afekt Ruzhdi Shaqirin ish-ushtarë i UÇK’së dhe nip i Sabit Gecit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat