Jep dorëheqje nga RTK, Erleta Ukshin Hoti

Kosova

Jep dorëheqje nga RTK, Erleta Ukshin Hoti

Më: 22 prill 2014 Në ora: 20:31

Ka dhënë dorëheqje nga Radio Televizioni i Kosovës, Erleta Ukshin Hoti.
Ajo thotë se sot ka dhënë dorëheqje morale nga ky institucion, siç thotë ajo "i pavarur".

Hoti, njoftimin e ka dhënë nëpërmjet llogarisë së saj në Facebook, derisa thotë se për të marrë këtë vendim, nuk është detyruar nga askush.

Ja njoftimi i plotë i dorëheqjes së saj:

Njoftim (komunikatë): Të nderuar miq, sot me datën 22.04.2014, pas 14 vjet pune në RTK dhash dorëheqje morale nga ky Institucion i "Pavarur" i Kosovës. Askush në mënyrë publike nuk më ka detyruar të tërhiqem nga RTK deri tash, por mbase gjaku dhe edukata familjare janë shtysë dhe shtyllë e ndërtimit të karakterit personal, në mënyrë që mos ta duroj as edhe një dukuri negative diktatoriale, që po vazhdon të ekzistojë në shoqërinë kosovare.

Në vijim e keni vendimin e dorëheqjes sime,

Me respekt,

Erleta Hoti / Redaktore e Redaksisë për Fëmijë dhe të Rinj - RTK

Ndërprerja e njëanshme e Kontratës së Punës me RTK

-Në bazë të Ligjit të Punës në Kosovë: Nr. 03/ L - 212;

-Në bazë të Nenit 12 të kontratës me RTK-në: Ndërprerja e marrëdhëniës së punës / Kontratës së Punës;

-Në bazë të pikës 12.2./ f (të Kontratës së Punës me RTK-në): Rastet e tjera, të cilat nuk janë përcaktuar me Ligjin e Punës, Rregulloret e Brendshme të RTK-së dhe Kontratën Kolektive;

Në mënyrë të njëanshme dhe personale e shkëpus Kontratën time të Punës me RTK-në për tre arsye:

1. Mos respektimi, anashkalimi, ofendimi personal, si dhe injorimi i kërkesës sime ligjore, si Redaktore e Redaksisë për Fëmijë dhe të Rinj për një përgjigje dhe vendim ligjor nga ana e juaj rreth Kuizit "Evropa 2014", bashkëprodhim në mes të RTK-së dhe Projektit të Bashkimit Evropian "EUPK" (Perspektiva e BE-së në Kosovë). Projekt ky, i cili vitin tjetër do të jetë prodhim ekskluziv i RTK-së.

3. Vazhdimi i mos respektimit dhe injorimit total ligjor i Neneve ligjore të përshkruara mu në Kontratën e Punës.

2. Grupimi i klanizuar, politizimi i skajshëm i këtij Institucioni të Pavarur, shantazhat e pakuptueshme ndaj punëtorëve, si dhe mungesa elementare e kushteve të punës, ku hyn edhe procesi fillestar "kinse" i dixhitalizimit të RTK-së (të cilin, vetëm dixhitalizim të lutem mos e quani se nuk ka të bëjë asgjë me këtë proces).

Me respekt dhe urim që do të takohemi shumë shpejtë,

Erleta Hoti

Redaktore e Redaksisë për Fëmijë dhe të Rinj / RTK 1

P.s. Më duhet të rikthesoj se nuk kam asgjë personale me askend në RTK.

Përkundrazi, RTK-në dua dhe do ta shoh në një të ardhme shumë të shpejtë si një Medium të Pavarur, i cili do të jetë shembull në rajon e më gjerë, meqë në këtë mënyrë është sajuar qëllimi i funksionimit të tij, që nga viti 1999. Poaq, sa kjo ndërprerje e kontratës së njëanshme për dikë mund të jetë e palogjikshme apo edhe qesharake, për mua është e dhimbshme aq sa më duket se po heq dorë nga vet familja ime.

Lus Sindikatën e Pavarur të Punëtorëve SPRTK, që këtë Vendim t'ju forwardoj, të gjithë kolegëve në RTK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat