Opozita: Kjo qeveri nuk mund ta procedojë transformimin e FSK-së në FAK

Kosova

Opozita: Kjo qeveri nuk mund ta procedojë transformimin e FSK-së në FAK

Më: 19 prill 2014 Në ora: 10:27

Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Legjislacion, thonë se gjatë këtij mandati qeverisës nuk është i mundur transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK). Ata dyshojnë se për kushtëzimin e minoriteteve me votë pro transformimit të FSK-së - me një mandat shtesë të tyre në Kuvend - partia në pushtet pati një marrëveshje me pakicat.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, thotë se është i pamundur votimi i Projektligjit për transformimin e FSK-së në ushtri gjatë këtij mandati. Ai tha se ende nuk ka një program apo projekt transparent të transformimit të FSK-së, as nga ministri Çeku por as nga Qeveria.
“Kemi vetëm deklarata rreth transformimit dhe kemi vetëm kërkesë për ndryshimin e amendamenteve kushtetuese të cilat tash kanë kaluar nga Gjykata Kushtetuese. Nëse e shihet në kohë dhe nëse shihet ajo çfarë po ndodh, neve na jep të besojmë se kjo e tëra ka qenë politike dhe nuk ka qenë serioze për krijimin e Ushtrisë së re të Kosovës”, tha Armend Zemaj.
Skena politike në Kosovë, sa i përket pakicave, do të ndryshojë, thotë deputeti i AAK-së, Ardian Gjini, duke aluduar në zgjatjen e mandatit të tyre në Parlamentin e Kosovës. Duke qenë kështu, Gjini thotë se kjo çështje do të bartet në legjislaturën e ardhshme, dhe nuk do të jetë fare e lehtë.
“Kompromisin është dashur ta bëjë Qeveria, sepse i ka në koalicion pakicat mirëpo gjithkush duhet t’i matë çështjet për shkak se kjo është politika, kjo është demokracia duhet ta shohim cilat janë llogaritë e shtetit tonë. Mendoj se në legjislaturën e ardhshme nuk do të jetë fare e lehtë të bëhet çfarëdo ndryshimi”, tha Ardian Gjini.
Për deputeten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e gjithë kjo ishte e planifikuar nga partitë e koalicionit qeverisës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, në njëfarë mënyre, e ka kushtëzuar edhe krijimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës me vendet e rezervuara. Pra, po tenton të na vë në asi pozite që ju duhet të përkrahni amendamentet për serbët për vendet e rezervuara në mënyrë që serbët të përkrahin Ushtrinë e Republikës së Kosovës. Kjo është e pa drejtë, tepër e dhimbshme dhe shpresoj që deputetët e Kuvendit do të vetëdijesohen dhe nëse janë për interesat e Kosovës atëherë duhet edhe serbët ta votojnë këto amendamente”, tha Haxhiu.
Në këtë situatë, znj. Haxhiu thotë se do të ishte më mirë që kjo t’i mbetet Qeverisë së ardhshme, e cila duhet të bëjë ndryshime të cilat janë në interes të qytetarëve të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat