Refuzohen 481 kërkesa për Veteranë të UÇK-së

Kosova

Refuzohen 481 kërkesa për Veteranë të UÇK-së

Më: 16 janar 2014 Në ora: 16:54

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu siç edhe ishte planifikuar, ka filluar verifikimin në terren të aplikacioneve, si dhe vërtetimin e tyre nga ana e eprorëve të të gjitha njësive vartëse të ish-Zonës Operative të Shalës të UÇK-së.

Me këtë rast, Komisioni falënderon të gjithë eprorët për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre për të përfunduar këtë proces shumë të rëndësishëm.

“Komisioni është duke vazhduar në mënyrë shumë intensive punën për verifikimin e këtyre aplikacioneve. Deri më tani është përfunduar puna me verifikimin e 1691 Aplikacioneve të kësaj zone, ndërsa pritet të trajtohen edhe aplikacionet tjera nga kjo zonë”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Ndërkaq, siç bëhet e ditur më tej, pas punës së përbashkët të ish-eprorëve të UÇK-së dhe anëtarëve të Komisionit, është konstatuar se nga 1691 aplikantë, 684 ju miratohet aplikacioni për Veteranë të Luftës, 100 Ushtarë të UÇK-së, me pasoja të Luftës - Invalidë të Luftës, 52 Ushtarë të UÇK-së të rënë në Luftë – Dëshmorë, 239 kategori të ndryshme, që kanë qenë të kyçur në Luftë (Pjesëtarë, Pjesëmarrës), 135 aplikacione për t’rishqyrtuar në njësi të ndryshme dhe 481 aplikacione janë refuzuar për t’ju njohur ndonjëra nga këto kategori.

“Komisioni është duke vazhduar punën edhe për verifikimin në terren të aplikacioneve, si dhe vërtetimin e tyre nga ana e eprorëve të të gjitha njësive vartëse edhe në ish-zonat tjera operative të UÇK-së. Duke qenë të bindur se përmbyllja e verifikimit do të realizohet me sukses, Komisioni kërkon mbështetjen e të gjithë atyre që janë te interesuar që ky proces të përfundojë sa më mirë dhe duke njohur kontributin e të gjithëve që kanë dhënë për lirinë e Kosovës”, thuhet në fund të këtij njoftimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat