Estonia, paradoksi i kualifikueseve

Futboll

Estonia, paradoksi i kualifikueseve

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 14:35
Foto ilustrim

Zuri vendin e fundit në grup me vetëm 1 pikë, por do të luajë në play-off!

Estonia është çudia më e madhe e formulës kualifikimit në finalet e kampionatit evropian Euro 2024. Zuri vendin e fundit në grupin F, mori vetëm një pikë, shënoi vetëm dy gola e pësoi 22, e megjithatë do të luajë në playoff për t’u kualifikuar në finalet e Gjermanisë vitin e ardhshëm.

Një shans teorik, pasi vështirë se një skuadër aq e dobët do të arrijë të fitojë në Poloni e më pas në fushën e Uellsit apo Finlandës, por gjithsesi e ka një shans, ndryshe nga skuadra shumë më të forta.

E gjitha kjo falë formulës së krijuar nga UEFA që dëshiron të stimulojë Nations League, duke futur fituesit e grupeve të saj në playoffin për evropianin, në rast moskualifikimi direkt. Edhe këtu Estonia është një skuadër e puthur nga fati.

Në playoff supozohet të marrin pjesë skuadrat fituese të grupeve nga Ligat A, B e C të Nations League, ndërkohë që Estonia ishte në Ligën D. Por fituesit e grupeve dhe të tjera më poshtë u kualifikuan direkt në finale, e fundit prej tyre Çekia, duke krijuar hapësirë për një skuadër nga Liga D, ku më e mira ishte Estonia, fituese e grupit me Moldavinë e San Marinon. Në këtë mënyrë, Estonia plotëson 12-shen e playoffit, ku fati zor se do ta mbështesë sërish.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat