“Fadil Vokrri” mund të mos rinovohet fare, Çeku zbulon arsyet

Futboll

“Fadil Vokrri” mund të mos rinovohet fare, Çeku zbulon arsyet

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 10:20
Foto ilustrim

Stadiumi “Fadil Vokrri”, mund të mos rinovohet fare dhe të ruhet si trashëgimi dhe traditë historike.

Kjo për arsye të vjetërsisë së strukturave origjinale të tij, të cilat, sipas ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mund të mos e durojnë edhe një tjetër ndërhyrje për renovim.

Sipas tij, kjo çështje është duke u vlerësuar nga ekspertë e ndërtimit dhe më pas do të merret një vendim final.

Çeku: Ekspertët po vlerësojnë nëse guxojmë të ndërhyjmë në “Fadil Vokrri”

“Një vlerësim po i bëhet edhe “Fadil Vokrrit”. Janë dy mendime të profesionistëve në lidhje me “Fadil Vokrrin” dhe njëri nga këto mendime është që për shkak të vjetërsisë të strukturave origjinale, sepse ka kaluar një kohë shumë e gjatë prej kur është ndërtuar ai stadium dhe për shkak të telasheve teknike që kanë pasur në renovimin e fundit kur është bërë renovimi për t’iu përshtatur kritereve të UEFA-s, janë hasur shumë vështirësi të cilat mund ta pamundësojnë një renovim të ri të këtij stadiumi. Pra, e kemi këtë mendim profesional të cilin ne nuk mund ta injorojmë si vendimmarrës politik dhe duhet ta validojmë këtë mendim dhe nëse qëndron kjo, atëherë i bie që ne nuk guxojmë të prekim sepse mund të bëjmë dëm më shumë në ato struktura se sa të ofrojmë ndonjë zgjidhje.”, tha Çeku.

Ai ka thënë se stadiumi “Fadil Vokrri”, duhet të ruhet edhe si trashëgimi dhe traditë me rëndësi, ndërsa potencoi nevojën që kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, të ketë një stadium krejtësisht të ri.

Çeku: Prishtina ka nevojë për stadium të ri

“Por Prishtina, fillimisht me Bërnicën si një stadium i ri sa do që të jetë stadium ndihmës dhe lokal megjithatë ofron edhe një hapësire, por besoj që Prishtina e meriton edhe një stadium të ri i cili do të ndërtohet. E tani a do të jetë ky stadiumi nacional, apo do të jetë një stadium tjetër vetëm i qytetit të Prishtinës nuk e di, por ne jemi shumë të interesuar që Prishtinën ta trajtojmë me prioritet. “Fadil Vokrrin” duhet ta ruajmë edhe si trashëgimi edhe si traditë dhe si e kaluar, mbase ai do të mbetet kështu siç është dhe nëse konfirmohet mendimi profesional që strukturat e stadiumit “Fadil Vokrri” nuk e përballojnë edhe një ndërhyrje renovuese, zgjidhja duhet të jetë një stadium i ri për qytetin e Prishtinës.”, theksoi Çeku.

Duhet cekur se “Fadil Vokrri”, është stadiumi i vetëm në Kosovë që plotëson kriteret e UEFA-s, për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Ndryshe, në planin pesë vjeçar, Çeku ka bërë të ditur se do të ndërtohen dhe rinovohen 27 stadiume të futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat