Broja për golin: Ndjenjë e pabesueshme, fitore të tjera do vijnë

Futboll

Broja për golin: Ndjenjë e pabesueshme, fitore të tjera do vijnë

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 00:34
Armando Broja

Armando Broja është rikthyer te goli pas gati një viti. Kishte shënuar për herë të fundit më 8 tetor 2022, në duelin ndaj Vulverhemptonit, në fitoren 3-0. Pas një mungese thuajse 10-mujore për shkak të një dëmtimi, futbollisti shqiptar ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, duke shënuar golin e dytë në fitoren 2-0 që skuadra e tij, Çelsi, arriti në fushën e Fulham.

Pas përfundimit të ndeshjes, sulmuesi kuqezi është shprehur: "Fitorja është një nxitje e madhe për klubin, për ne si ekip. Ne prezantuam një ekip krejtësisht të ri këtë verë, kështu që na u desh kohë për t'u njohur me njëri-tjetrin. Është gjithmonë e vështirë kur ke mjaft djem të rinj dhe staf të ri stërvitor, por unë mendoj se ne po tregojmë tani se po luajmë mirë dhe fitorja është një nxitje e madhe për të ecur përpara. Tri pikë të rëndësishme”.

Rikthimi te goli: "Është e mahnitshme. Si sulmues gjithmonë dëshiron të shënosh, në skenën e madhe dhe në momentet e mëdha. Një ndjenjë e pabesueshme të shënosh edhe në një derbi. Morëm tri pikët, që është gjëja më e rëndësishme, do punoj për ekipin dhe do përpiqem të shënoj kur të mundem”.

Efekti i fitoreve: "Fitoret sjellin atë besim dhe pozitivitet, midis grupit, tifozëve, rreth klubit. Kështu që është e rëndësishme të fitosh dhe ta bësh këtë sa më shumë që mundesh. Ne vetëm duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë dhe shpresojmë se do të vijnë fitore të tjera”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat