Doktor Leci motivonte ushtarët: Plagët e juaja janë themelet e lirisë

Aktuale

Doktor Leci motivonte ushtarët: Plagët e juaja janë themelet e lirisë

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 10:27
Doktor Leci

Nesër bëhen 20 vite nga rënia në altarin e lirisë të dëshmorit të parë mantelbardhë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dr. Lec Gradica.

Shokët, pacientët dhe qytetarët, tregojnë se Doktor Leci dashurinë ndaj atdheut e kishte të trashëguar nga familja, kurse dashurinë ndaj njeriut e kishte të lindur dhe asnjë profesion nuk do t’ia plotësonte më mirë ëndërrat dhe dëshirat, se sa puna e mjekut.

KosovaPress ju sjell reportazhin për mjekun e lindur në fshatin malor të Drenicës, Gradicë, i cili pas mbarimit të studimeve filloi punën në Shtëpinë e shëndetit në Drenas, duke u shërbyer qytetarëve të kësaj treve me një dashuri prej mjeku dhe shenjtori deri në minutat e fundit të jetës së tij.

Me fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në muajt e parë të vitit 1998, dr. Leci nuk mund t’i trajtonte luftëtarët e plagosur në Shtëpinë e shëndetit, sepse zona e Drenasit dhe Drenicës ishte mbushur me forca policore dhe ushtarake të armikut. Dhe së bashku me bashkëshorten e tij, filluan punën në odën e familjes së tyre në Gradicë, ku edhe vihen themelet e spitalit ushtarak të kësaj zone.

Bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij, Emine Leci i kujton ditët e para të punës së tyre në odën-spital, në pranverën e vitit 1998. Por, aty hapësira ishte e vogël për t’i trajtuar të gjitha rastet, dhe spitalin ushtarak e vendosin në shkollën e fshatit, që nuk ishte shumë larg shtëpisë së Lecit.

Emine Leci: Në pranverën e vitit 1998

“Në pranverën e vitit 1998, në odë, kanë qenë dy dhoma, njëra ishte për intervenime, e tjera për vizita. Shpejt u përhap lajmi që Leci po punon në shtëpinë e tij, gjegjësisht në odë, filloi ardhja e pacientëve nga të gjitha fshatrat për rreth Çiçavicës. Dita-ditës rritej numri i pacientëve, në pamundësi të vazhdimit të punës aty, Leci dha urdhër që të vazhdojë punën në shkollën e Gradicës”, thotë Eminia.

Kujtimet e freskëta të ditëve të para të punës së Lecit në odën e familjes i ka edhe vëllai i tij, Ajeti.

Ajet Leci: U vu gurthemeli i Spitalit Ushtarak

“Në pranverën e vitit 1998 për herë të parë u vu gurthemeli i Spitalit Ushtarak të Brigadës 114 në këtë odë, ku u angazhua doktor Leci me gjithë familjarë për t’u ardhur në ndihmë si ushtarëve të UÇK-së, po ashtu edhe popullatës së gjerë. Ka pasur pacientë, mirëpo për shkak të hapësirë jo të mjaftueshme, dr. Leci ka vendosur që të zgjerohet në shkollën e Gradicës, shkollë që në bashkëpunim me bashkëfshatarë, e shndërron në spital ushtarak të UÇK-së”, thotë ai.

Por, për ndërhyrjet e komplikuara dhe që kërkoheshin pajisje të veçanta dr. Leci kërkonte ndihmë nga kolegët e tij në Prishtinë. Njëri nga pacientët e parë ishte ish-luftëtari, Mehmet Xheli, që komandonte pikën “Shkaba 1” në Çikatovë të Drenasit.

Xheli: Ishte rast shumë i rëndë

“Kam punuar disa mjete luftarake, armë, rasti konkret është, më par ra një spirrë e metaltë në sy. Kontaktova me dr. Lecin, ishte rast shumë i rëndë, një spirrë metalike në dritë të syrit, dhe i ka pru njerëzit prej Prishtinës, special për mua dhe jemi ardhur këtu në shtëpi e kemi kryer atë operacion. Rasti i dytë është, një ushtar i imi është plagos, e ka këputë gishtin e këmbës, jemi ardhur këtu, në shtëpi si spital ushtarak të improvizuar”, tha ai.

Më zhvillimin e luftimeve në Zonën e Drenicës, rritej numri i luftëtarëve të plagosur dhe popullatës cilivile që kërkonin shërim tek dr. Leci. Pas zhvendosjes së spitalit ushtarak në shkollën e fshatit, numri i pacientëve rritej çdo ditë. Zonja Emine thotë se kishte ditë që numri i pacientëve kalonte 100.  

Emine Leci: Numri i pacientëve ka qenë i madh

“Numri i pacientëve ka qenë i madh, është sjellë 100 pacientë në ditë dhe më shumë, sepse kemi qenë në gjendje gatishmërie 24 orë, në shërbim të ushtarëve, të popullatës, kush do që ka kërkuar ndihmë, ne kemi qenë në shërbim”, thotë ajo.

Doktorit nuk i kishte mjaftuar që të kryente kontrollet shëndetësore për pacientët dhe ndërhyrjet kirurgjike për të plagosurit, ai së bashku më Eminën kishin hapur edhe repartin e maternitetit dhe kur kishte nevojë shkonte edhe në spitalin ushtarak të Likocit. Të gjitha këto i kujton dr. Fadil Beka, i cili po ashtu kishte hapur spitalin ushtarak në Lokoc.

Beka: Aty e kam pa doktor Lecinin

“Doktor Lecin, tash dëshmor i kombit, kam pas fatin ta takoj edhe këtu në spital të Likocit, mirë po kohën më të madhe e kam takuar, gjegjësisht kemi punuar së bashku në spitalin e Gradicës, kur jemi evakuuar nga spitali ushtarak i Likocit, ku gjendemi tash. Aty e kam pa Doktor Lecin, i cili ka qenë shumë i angazhuar, në trajtimin e të sëmurëve, të plagosurve, e në veçanti së bashku me bashkëshorten Eminën, ka organizuar një maternitet, ku aty janë kryer qindra lindje, ngase për këtë kategori të popullatës ka qenë shumë e vështirë qasja në spitale të shtetit, për mos me thënë gati e pamundur”, thotë dr. Beka.

Bashkëshortja e Doktor Lecit tregon se pacientët kanë ardhur nga i gjithë rajoni i Drenicës, ndërsa kujton se rastet më të ndjeshme për të kanë qenë nga Shtutica dhe Rezalla.

Emine Leci: Kemi pasur shumë prej granatimeve nga rajonet e ndryshme

“Kemi pasur edhe shumë prej granatimeve nga rajonet e ndryshme, jo veç nga rrethi i Komunës së Drenasit, por nga të gjitha rajonet e Ushtrisë. Kemi pasur nga Skenderaj. Mua më kujtohen rastet më të ndjeshme kanë qenë nga Shtutica, nga Rezalla, që kanë ardhur të plagosur më plagë të hapura në shpinë, është dashur Leci me intervenuar dhe me i qep ato plagë”, kujton ajo.

Kurse për dr. Fadil Bekën të gjitha rastet në kushte të luftës janë të veçanta.

Beka: Në kushtet e luftës të gjitha rastet janë raste të veçanta

“Në kushtet e luftës të gjitha rastet janë raste të veçanta, raste specifike, kështu që ndoshta nuk kisha mundur me i dalluar, mirëpo aty kanë qenë kushtet e jashtëzakonshme, sepse kanë qenë kushtet e rënda dhe ne është dashtë me ato kushte me ofruar ndihmën maksimale, me ia ofruar shërbimin të sëmurit, të plagosurit, që kanë pas nevojë”, tregon Beka.

Në shtatorin e vitit 1998, armiku ndërmori ofensivë në fshatrat rrëzë Çiçavicës dhe të vazhdohej puna në spitalin-shkollë ishte e pamundur, Leci i tërhoqi të plagosurit në zonat malore, duke mos u ndarë për asnjë moment nga pacientët edhe pse e dite që ishin të rrethuar nga një numër i madh i forcave të armikut. Orët e rënda të luftës dhe takimet e fundit me doktorin i kujtojnë Emnia dhe Ajeti.

Emine Leci: Kurrë nuk ka pranuar të largohet nga pacientët

“Kurrë nuk ka pranuar të largohet nga pacientët, nga popullata, ka thënë do të qëndroj këtu, me popullin tim, me ushtarët, me të plagosurit. I ka pa forcat e armikut duke ardhur, ka qenë shumë i vetëdijshëm ka qëndruar. Momenti i fundit ka qenë 24 shtatori, po në mes të pacientëve, në mes popullatës, ka qenë një numë ri madh i të plagosurve, ka qenë edhe vëllai i Lecit”, thotë ajo.

Ajet Leci: Dr. Leci ishte gjithmonë pranë të plagosurve në Çiçavicë

“Në ofensivën e shtatorit, dr. Leci së bashku me ushtarët e tij, të plagosurit i larguan nga spitali i Gradicës në një vend pak më të sigurt, siç ishte në atë kohë Çiçavica. Dr. Leci ishte gjithmonë pranë të plagosurve në Çiçavicë, këtë e dëshmon edhe rënia e tij më 24 shtator të vitit 1998. Bëri të pamundurën për t’iu ardhur në ndihmë të plagosurve, ushtarëve dhe popullsisë në përgjithësi. Momenti i fundit i tij ka qenë në Çiçavicë, gjithmonë duke iu ardhur në ndihmë në shërim të plagosurve”, kujton ato momente Ajeti.

Tani pas 20 viteve e kujtojnë me mall dhe thonë se Dr. Leci nuk ishte një mjek që vetëm ua mjekonte plagët të plagosurve, e i kontrollonte të sëmurit, por shquhej për një afërsi njerëzore me pacientët, të cilët shumë herë i shëronte edhe me fjalë. 

Xheli: Dr. Leci ka qenë mjek që më gojë i ka shëruar pacientët

“Dr. Leci ka qenë mjek që më gojë i ka shëruar pacientët, mjek i gjithanshëm, mjek për njerëzit që kanë kontaktuar me të është i paharruar, vepra e tina nuk harrohet kurrë”, thotë Xheli.

Emine Leci: Leci gjithmonë u ka dhënë vullnet të madh ushtarëve

“Leci gjithmonë u ka dhënë vullnet të madh ushtarëve, me fjalë, me moral të lartë dhe u ka thënë se ju do të shëroheni shpejt, do të ktheheni me shokë në istikame, plagët e tuaja janë themelet e lirisë”, janë kujtimet që zonja Emine i thotë për bashkëshortin e saj, bashkëluftëtarin e bashkëveprimtarin doktor Lec Gradica.

Tani trupi i Dëshmorit Lec Gradica, i njohur si Mjeku i Luftës, pushon në paqe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat