Bashkimi Europian nuk mund t’i garantojë askujt asgjë. Çdo gjë varet nga përmbushja e kritereve për anëtarësim.
Kështu është dhënë sot përgjigja nga Brukseli lidhur me kërkesën e kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq se për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizim me Kosovën ai do garancinë se Serbia do të hyjë në Bashkimin Evropian.
Në përgjigjen që lidhur me këtë e ka kërkuar gazeta e Beogradit “Danas”, BE ka thënë se sa më parë që Serbia i normalizon marrëdhëniet me Kosovën dhe me kusht që ta zbatojë marrëveshjen, aq më shumë shtohen gjasat që BE ta marrë vendimin politik për anëtarësimin e saj.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiqka thënë ditë më parë se do të kërkonte garanci se vendi i tij do të anëtarësohet në Bashkimin Europian në vitin 2025 si pjesë e ndonjë marrëveshjeje me Kosovën, e cila do t’u hapte rrugën të dy vendeve t’i bashkohen bllokut.