Republikanët e Serbisë përmes kryetarit të tyre Nikola Sanduloviç akuzojnë presidentin serb Vuçiç se po e shfrytëzon vizitën e tij në Kosovë për të çuar përpara skenarin për destabilizim të Kosovës, transmeton gazeta “Bota sot”.
“Skenari i BIA (ish UDBA) ka të njëjtin koncept me rastin “Panda” në Pejë ku u vranë të rinjtë serbë për tua lënë fajin më pas shqiptarëve”, shkruan ai në Facebook.
Kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti e ka përkthyer shkrimin e homologut të tij serb.
Sipas tij, ky ishte një inskenim që u përmbyll me nisjen e gjenocidit ndaj popullatës shqiptare në vitin 1998.
“Si kryetar i Republikanëve të Kosovës i kërkoj popullsisë shqiptare të jenë sa më vigjilentë, ndërsa serbëve të Kosovës ju bëj thirrje të mos bien pre e provokimeve dhe inskenimeve të Vuçiçit dhe bandave të tij”, shkruan Kurti.
“Shekulli i 19-të ka përfunduar dhe nuk mund të manipulohen njerëzit e ndershëm të dy etnive që duan realisht të ndërtojnë paqen dhe të jetojnë në shekullin e 21-të”, potencon Faton Kurti.