Në Kuvendin e Kosovës, së fundi kishte shpërthyer një debat i ashpër mes deputeti të LDK-së, Anton Quni dhe atij nga PDK, Xhavit Haliti.
I gjithë debati i ashpër ishte zhvilluar për milionat e luftës, ku sipas Qunit, Haliti kishte marr rreth 8 milionë marka gjermane nga kolonel Ahmet Krasniqi. Kurse, Haliti kishte thënë se Qunin nuk e kishte njohur fare në luftë, pas sipas tij ai më shumë kishte qëndruar therrave.
Pas debatit mes Qunit dhe Haliti, ka reaguar edhe Këshilli i Eprorëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-ut).
Përmes një reagimi publik, ky këshill thekson se ka dhënë kontribut të pamohueshëm në organizimin, fuqizimin dhe komandimin e njësive, me theks të veçantë në Betejën e Koshares.
“Eprori shumë i suksesshëm i njësive të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës në teren të komanduara nga Ministria e Mbrojtjes dhe deputeti i tanishëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Zotëri Anton QUNI, ka dhënë kontribut të pamohueshëm në organizimin, fuqizimin dhe komandimin e njësive tona, me theks të veçantë në Betejën e Koshares dhe për këtë zë vend me peshë në historinë më të re të kombit shqiptar“, thuhen në reagimin e Këshillit të Eprorëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-ut).
Ky është reagimi i plotë:
Këshilli i Eprorëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-ut), i ka përcjellur dhe i përcjellë në vazhdimësi rrjedhat e zhvillimeve politike dhe të tjera me rëndësi për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës si dhe përpjekjet qëllimkëqija të disa grupacioneve në Kuvend për shtrembërimin e të vërtetës historike për luftën e zhvilluar nga njësitë e komanduara dhe udhëhequra nga Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) na shtyen që të dalim me këtë:
R E A G I M P U B L I K
Beteja e Koshares, Loxhes, Pashtrikut, etj., janë organizuar dhe udhëhequr nga Eprorët e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) nën komanden e kolonel Ahmet Krasniqit dhe Shtabit Komandues të FARK-ut.
Me synim të bashkimit të faktorit ushtarak gjatë luftës dhe me qëllime shumë të pastërta për fuqizimin dhe armatosjen e njësive në teren, Ministria e Mbrojtjes e udhëhequr nga Kolonel Ahmet Krasniqi i ka dhënë shuma të konsiderueshme të mjeteve financiare Zotëriut Xhavit HALITI.
Eprori shumë i suksesshëm i njësive të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës në teren të komanduara nga Ministria e Mbrojtjes dhe deputeti i tanishëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Zotëri Anton QUNI, ka dhënë kontribut të pamohueshëm në organizimin, fuqizimin dhe komandimin e njësive tona, me theks të veçantë në Betejën e Koshares dhe për këtë zë vend me peshë në historinë më të re të kombit shqiptar.
Çdo prirje e kujt do qoftë për përvetësimin e meritave të luftës është e dënueshme në rrafshin kombëtar, moral dhe penal. Luftën nuk e kanë bërë individët e caktuar por populli shqiptar i Kosovës dhe i të gjitha trevave shqiptare, ku rol të pamohueshëm kanë luajtur Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe Shtabi i saj komandues.
Nga Këshillli i Eprorëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës