Prokuroria Speciale po e heton Shpend Ahmetin

Aktuale

Prokuroria Speciale po e heton Shpend Ahmetin

Më: 11 maj 2018 Në ora: 13:11
Shpend Ahmeti

I sapo ardhuri si kryetar i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti po hetohet nga Prokuroria e Shtetit për punësime partiake në Komunën e Prishtinës, gjatë mandatit të tij të parë, të militantëve të VV’së pjesë e së cilës ishte deri para 3 muajve. 

Hetimin ndaj Ahmetit e ka konfirmuar për Express, zyra për informim e Prokurorisë së Shtetit. 

“Rasti i Shpend Ahmeti lidhur me punësimet  në Komunën e Prishtinës, është në fazën e hetimeve preliminare”, ka thënë të premten zëdhënësi Ekrem Lutfiu. 

Hetimin po e zhvillon Prokuroria Speciale, pas disa kallëzimeve penale që kanë deponuar në këtë prokurori kundërshtarët politikë të Ahmetit, vitin e shkuar. 

Media merr vesh se Ahmeti si kryetar i Prishtinës, po dyshohet se ka shkelur ligjin duke punësuar me kontrata mbi vepër dhjetëra militantë partiakw të VV’së, pjesë e së cilës ka qenë deri në janar të këtij viti. 

Megjithatë, PDK’ja, që në gusht të vitit 2017 deponoi në Prokurori të Shtetit kallëzimet penale ndaj qeverisjes së atëhershme Ahmetit dhe VV’së në Prishtinë pretendonin se deri në 500 ka shkuar numri i të punësuarve kundërligjshëm nga kryetari i Prishtinës, që vetëm pak muaj më pas fitoi mandatin e dytë në krye të kryeqytetit. 

Pagat mujore me të cilët dyshohet se janë paguar këtë militantë të VV’së, nga Ahmeti si kryetar i Komunës së Prishtinës, kanë variuar nga 250 Euro deri në afro 500 sosh, në muaj. 

Prokuroria e Shtetit të premten nuk ka treguar nëse Ahmeti është i vetmi subjekt i hetimit në fjalë. Sikurse, të njëjtit nuk kanë treguar nëse kryetari i Prishtinës të jetë intervistuar deri më tani për dyshimet e prokurorisë. 

Shpend Ahmeti, në fund të vitit të shkuar ka fituar mandatin e dytë në krye të Prishtinës, si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëm pak muaj më pas, në fillim të këtij viti, Ahmeti u largua nga kjo lëvizje, me ardhjen në krye të saj të Albin Kurtit, pas përplasjeve që çuan në ndarje të kësaj partie politike. 

Të mërkurën, Ahmeti u zgjodh kryetar i PSD’së, pasi ai dhe një grup ish-deputetësh të VV’së aderuan në partinë socialdemokrate të Kaqusha Jasharit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat