Dervishi: ‘Medicus’ u licencua nga ministria për transplantim të veshkave

Aktuale

Dervishi: ‘Medicus’ u licencua nga ministria për transplantim të veshkave

Më: 26 prill 2018 Në ora: 12:16
Mjeku i akuzuar Lutfi Dervishi

Mjeku i akuzuar Lutfi Dervishi, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij Valon Hasani, lexoi një dokument të Ministrisë së Shëndetësisë me të cilin tha se iu dha leja për shërbime urologjike dhe transplantim të veshkave.

Dokumenti i ishte dërguar Dervishit nga Ilir Rrecaj që në atë kohë ishte kryetar i Bordit për Licencimin e Institucioneve Private.

Avokati Hasani e shtyri Dervishin që në gjykatë ta lexojë përmbajtjen e këtij dokumenti.

“I nderuari Z.Dervishi ju njoftojmë se në bazë të kërkesës suaj 02.06.12, pas shqyrtimit nga Bordi për Licencimin e Institucioneve Private, është aprovuar në parim mundësia e spitalit ‘Medicus’ të ofroj edhe shërbimet e urologjisë sipas ligjit në fuqi bazuar në aneksin për… e cila rregullon çështjen e transplantimit të organeve nga dhuruesit e gjallë”, lexoi dokumentin Dervishi.

Avokati pastaj e pyeti mjekun se si e kishte kuptuar këtë dokument.

“Unë këtë e kam kuptuar si përgjigje në kërkesën time, e kam kuptuar si një leje e punës për urologji dhe transplantim, bazuar në këtë dokument dhe në fjalët e komisionit kam qenë i bindur se kjo është një leje e punës dhe kam pritur vetëm të filloj punën”, u përgjigj Dervishi.

Mjeku i akuzuar dje u mor në pyetje nga prokurorja Valeria Bolici.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5./Kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat