Haxhiu: Demarkacioni nuk kalon, ne po mbrojmë territorin e Kosovës

Aktuale

Haxhiu: Demarkacioni nuk kalon, ne po mbrojmë territorin e Kosovës

Më: 21 mars 2018 Në ora: 12:35
Albulena Haxhiu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se hedhjen e gazit lotsjellës e kanë bërë për të shpëtuar nga akti i tradhtisë që, siç u shpreh ajo, dëshirojnë të bëjnë deputetët e tjerë duke e ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit.

Ajo është shprehur shumë e bindur se demarkacioni nuk do të kalojë, pavarësisht se marrëveshja është sjellë për votim në Kuvendin e Kosovës.

Haxhiu: Demarkacioni nuk kalon

“Siç e keni parë  në mënyra të ndryshme, me presione të ndryshme kanë arritur siç duket t’i bëjnë numrat për ta ratifikuar atë marrëveshje të dëmshme. E kuptoj që mund të duket diçka si jo normale, mirëpo edhe para tri viteve kemi vepruar njësoj, sot nuk flitet për ato veprime, por flitet për atë se ne për shkak të rezistencës që kemi pasur në Kuvend bashkë me qytetarët e Republikës jashtë kemi arritur që të mbrojmë territorin e Kosovës.  Unë nuk di se kush ka hedhur gaz lotsjellës, unë mund të them që demarkacioni nuk kalon dhe bëri mirë që u ndërpre seanca, sepse është tepër e rëndësishme unë po ju them këtu është tepër e rëndësishme që jemi në krye të detyrës në mbrojtje të territorit. Sa herë që ne kemi ndërmarrë veprime politike përbrenda Kuvendit të Republikës së Kosovës ne jemi arrestuar, kemi mbajt burg për këtë. Në qoftë se i mbledhim gjithë vitet që deputetët kanë qenë nëpër paraburgime, i bie diku ndoshta afër pesë vite për të gjithë deputetëve bashkë. Asnjëherë veprimet e prokurorisë apo gjykatave nuk na kanë zmbrapsur. Edhe një herë po e them, prokuroria mund të veprojë njësoj, por ajo që është e rëndësishme është që ne po e bëjmë punën tonë si deputetë të Kuvendit, ne po e mbrojmë territorin”, tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu ka folur edhe për deputetët e Grupit të Pavarur që kanë dalë nga LVV, për të cilët ka thënë se është e dhimbshme se si ish-kolegët e saj kur diskutohet për marrëveshjen flet vetëm njëri prej tyre, ndërsa është shprehur e bindur se ata nuk do ta votojnë marrëveshjen.

Sa i përket reagimit të ambasadave që kanë kundërshtuar hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, Haxhiu ka thënë se ajo nuk përfaqëson ambasadat, por është deputete e Kuvendit të Kosovës dhe po e kryen detyrën e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat