SBASHK-u paralajmëron Qeverinë: Kur ka grevë nuk ka mësim, por as test PISA

Aktuale

SBASHK-u paralajmëron Qeverinë: Kur ka grevë nuk ka mësim, por as test PISA

Më: 16 mars 2018 Në ora: 11:15
Ilustrim

SBASHK-u ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të angazhohet për t’i plotësuar kërkesat e tyre para datës 13 prill, ditë kjo për kur është paraparë fillimi i grevës së përgjithshme, në rast se nuk arrihet plotësimi i kërkesave të sindikatave të arsimit.

“SBASHK-u duke parë se  përveç deklaratave të Ministrave gjegjës dhe të institucioneve ende nuk as edhe një veprim konkret,  lëshon këtë alarm  me kohë  drejtuar Qeverisë, institucioneve dhe opinionit të gjerë që të angazhohen që tani  në realizimin e kërkesave të anëtarësisë sonë e të mos presin që 13 prilli të na gjejë në këtë situatë ngase  koha po shkon dhe le ta dinë të gjithë  se kur ka grevë nuk ka mësim, por nuk ka as test PISA”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

SBASHK-u ka bërë po ashtu të ditur se njëzëri kanë nxjerrë një rezolutë në kongresin e shtatë, rezolutë kjo e cila obligon kryetarin dhe kryesinë, që nëse nuk  ka veprime konkrete të institucioneve as pas grevës njëditore të shkohet më 13 prill në grevën e përgjithshme e në kohë të pacaktuar, grevë kjo që do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të anëtarësisë.

SBASHK-u ka drejtuar një mori pakënaqësish ndaj ministrave të kabinetit Haradinaj.

“Gjatë gjithë kësaj kohe institucionet, gjegjësisht ministrat gjegjës të Kabinetit Haradinaj nuk kanë bërë as edhe një hap konkret përveç se janë munduar që fajin e tyre t’ia hedhin dikujt tjetër. Ministri Hamza përmes deklaratave nga kabineti i tij thotë se nuk janë kundër Ligjit  për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës , por se Ministria e Arsimit apo ajo për Punë dhe Mirëqenie Sociale u dashka të bëjnë veprime për të plotësuar kriteret ligjore të këtij ligji dhe ai pastaj do ta marrë miratimin edhe nga Ministria e Financave dhe do të kalojë edhe në Qeveri e Parlament”, thuhet tutje në këtë komunikatë.

Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, vlerësojnë se është ministri i arsimit, Shyqyri Bytyqi, ai i cili e ka obligim që projektligji të votohet në parlament.

“Nga ana tjetër Ministri Bytyqi deklarohet vazhdimisht se Ministria e tij  ka kryer punën e duhur rreth këtij Projektligji. Ministri  Hamza duhet të takohet me dy ministrat e përmendur se janë në të njëjtin kabinet qeveritar dhe  bashkërisht të punojnë për tejkalimin e ndonjë të mete dhe ligji të shkojë në Qeveri e në Parlament. Ministri Bytyqi duhet ta di se nuk e ka kryer punën rreth ligjit sepse kjo punë kryhet  kur ligji  merr dritën e gjelbër në Qeveri dhe pastaj shkon në Parlament dhe edhe atje Ministri Bytyqi duhet ta prezantojë dhe t’u përgjigjet pyetjeve eventuale  të deputetëve. Pra obligimi i Ministrit Bytyqi ndaj këtij ligji kryhet kur ligji të votohet në Parlament”, është një pjesë e reagimit të SBASHK-ut. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat