Finalizohet dokumenti programues të zbatimit të Strategjisë së Evropës Juglindore

Aktuale

Finalizohet dokumenti programues të zbatimit të Strategjisë së Evropës Juglindore

Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 12:11
Është mbajtur takimi për finalizimin e dokumentit programues të zbatimit të Strategjisë së Evropës Juglindore.

Është mbajtur takimi për finalizimin e dokumentit programues të zbatimit të Strategjisë së Evropës Juglindore, ku procesi i programimit të Strategjisë së Evropës Juglindore (SEE) për vitin 2020 është realizuar nëpërmjet një procesi të sigurimit të të dhënave të mbledhura nga një sërë burimesh nëpërmjet cikleve të strukturuara vjetore, me pjesëmarrjen e një game të gjerë partnerësh.

Ky dokument programues ka një fokus të shquar në veprimet e Planit Shumëvjeçar të Veprimit (MAP), të modernizuara dhe të materializuara brenda flamujve, me synimin për të sinergjizuar përpjekjet drejt thellimit të integrimit ekonomik rajonal.

Me këtë rast, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe Strategjia për Evropën Juglindore 2020 në veçanti janë elementet kapitale drejt përmirësimit, bashkëpunimit politik dhe ekonomik të rajonit tonë.

Hasani: Qeveria zotohet për zbatimin e kësaj strategjie

 “Në emër të Qeverisë shpreh zotimin serioz për zbatimin e kësaj strategjie, duke qenë të vetëdijshëm që zbatimi i plotë dhe i suksesshëm i saj do të sjellë vende të reja pune, prosperitet dhe zhvillim ekonomik në Kosovë. Kosova ka konfirmuar gatishmërinë për të angazhuar kapacitetet e administratës së vet, përkrahjen institucionale dhe burimet e nevojshme financiare për zbatimin e suksesshëm të saj”, tha ai.

Ministri Hasani tha se Kosova është dëshmuar si një fqinje e mirë që kujdeset për raportet miqësore dhe bashkëpunim shembullor me fqinjët e saj. Ai tha se këtë e dëshmojnë jo vetëm shkëmbimet bilaterale, por edhe pjesëmarrja aktive në mekanizmat rajonal si Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, Traktati i Komunitetit të Energjisë, CEFTA, e mekanizma të tjerë.

Po ashtu, ai tha se duke qenë se Qeveria është në fillim të mandatit të saj, është e natyrshme që programi i qeverisë 2017-2021, dhe Programi i Reformës Ekonomike 2018-2020 i referohet strategjisë së Evropës Juglindore dhe përfshinë çështje të ndryshme, ku e para është rritja e integruar.

Hasani: Përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

“Rritje e integruar, zhvillimi i politikave tregtare dhe të konkurrueshmërisë, përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, promovimi i investimeve të huaja, si dhe rritjen e mençur sa i përket kësaj shtylle parashihen veprime në zhvillimin e sistemit arsimor dhe kulturor. Reforma strukturore në arsim, sigurimi, garantimi dhe rritja e cilësisë së arsimit, promovimi i shkencës dhe hulumtimeve dhe përkrahja e krijimtarisë kulturore. Rritje e Qëndrueshme, investime në energji dhe miniera, përmirësimi i përformancës së ndërmarrjeve publike, menaxhimi i integruar i ujërave”, ka thënë ministri.

Hasani tha se duke ecur përpara do të forcojnë sistemin e të mbledhjes së të dhënave, sistemin e analizës së të dhënave dhe kulturën e analizimit të të dhënave, për t’i inkorporuar ato pastaj në procese vendimmarrëse.

Zëvendës sekretar i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Gazmend Turdiu, tha se ideja e tërë procesit është që të rezultojnë me një draft të konsoliduar që do të jetë real, i bazuar në nevojat dhe që do të jetë relevant për zhvillimin në rajon.

Turdiu: Ideja e tërë procesit është që të rezultojë me një draft të konsoliduar

 “Ideja e tërë procesit është që të rezultojë me një draft të konsoliduar që do të jetë real i bazuar në nevojat dhe që do të jetë relevant ose përkatës për zhvillimin në rajon. Ky draft ose projekt dokument pastaj duhet t’i paraqitet komitetit programor që takohet në Bruksel me 12 mars. Ditën kur Komiteti programues e miraton dokumentin të nesërmen besojmë se do t’i prezantohet Komitetit të donatorëve për të kërkuar mbështetjen dhe përkrahjen e tyre për të plotësuar mangësitë e fondeve dhe burimeve për zbatimin e veprimeve të cilat jemi dakorduar t’i zbatojmë bashkë. Kjo është arsyeja pse e theksoj nevojën që të kemi një dokument relevant, real dhe të bazuar në nevoja”, tha ai.

Ai tha se sa më mirë i konsoliduar të jetë dokumenti më shumë vëmendje do t’i kushtohet nga komuniteti i donatorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat