Detaje të reja rrëqethëse nga tragjedia në familjen Sukaj në Pejë: Nëna, vajza dhe halla humbin jetën

Aktuale

Detaje të reja rrëqethëse nga tragjedia në familjen Sukaj në Pejë: Nëna, vajza dhe halla humbin jetën

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 19:28
Arza Nova Sukaj

Dhjetëra persona nga fshati Nabërgjan i Komunës së Pejës, në orët e para të pasdites së sotme ia kishin mësyrë shtëpisë së familjes Sukaj nga ky fshat. Aty është hapur e pame pasi tre persona nga kjo familje humbën jetën në një aksident trafiku, që ndodhi mbrëmë në magjistralen Istog-Pejë. Të vdekura kanë mbetur nënë e bijë, 34 dhe 9 vjec. Jetë ka ndërruar edhe kunata e 34 vjeçares. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe 4 persona tjerë.

Pas darkës, të hënën mbrëma, familja pesë anëtareshe Sukaj nga fshati Nabërgjan i Pejës, kishte marrë rrugën drejt Istogut, për të shkuar tek një familjar i tyre për vizitë. Por, kjo rrugë u shndërrua në tragjedi familjare, ngase tre persona humbën jetën derisa ishin duke u kthyer në shtëpi.

Media, të martën ka qëndruar në familjen e viktimave. Të afërmit kanë shpjeguar rreth aksidentit. Një familjar i Sukajve i ka thënë Expressit se në momentin kritik në veturë ndodheshin kryefamiljari i familjes Sukaj, bashkë me gruan, vajzën e vogël 9 vjeçe, motrën dhe nipin. 

“Me të vërtetë ndjehemi shumë keq për gjithë rastin që ka ndodhur. Në veturë ka qenë djali i axhës me gruan. Neve na ka vdekur motra dhe gruaja e djalit të axhës me çikë të vogël.  Vajza është rreth moshës 9-vjeçare. Gruaja e djalit të axhës ka qenë rreth moshës 34-vjeçare”, i ka rrëfyer ngjarjen një familjar i viktimave të aksidentit.

E ndjera ka lënë pas një djalë 17-vjeç dhe një vajzë rreth 11-vjeçe. Edhe kjo e fundit po ashtu ka qenë e përfshirë në aksident dhe për momentin po trajtohet në QKUK pas lëndimeve të marra.

“E ka edhe një djalë 17-vjeç dhe një vajzë, edhe ajo është në Prishtinë(QKUK) në gjendje të rëndë. Në momentin kritik ka qenë një nip i yni duke vozitë. Rastin nuk e dimë se qysh ka ndodhur por dy kerre janë ndeshur ndërmjet vete. Në anën tjetër, edhe personat nga vetura tjetër janë të lënduar. Familjarët tanë mbrëmë kanë qenë për vizitë tek motra tjetër që e kemi në Istog dhe duke u kthye ka ndodhur rasti”, kanë thënë familjarët e të ndjerëve. Varrimi i tyre pritet të bëhet nesër.

“Varrimi ende nuk është bërë. Nesër po mendojmë ngase i kemi disa familjarë jashtë”.

Hetimet lidhur me këtë rastështë duke i vazhduar Policia e Kosovës. Në njoftimin e saj thuhet se në aksident ishin të përfshira dy automjete. Njëra e tipit BMW dhe tjetri VOLVO, të dy me targa kosovare.

“Viktima të këtij aksidenti janë 3 shtetase të Kosovës, dy prej të cilave kanë humbur jetën në vend të ngjarjes, kurse viktima e tretë ka ndërruar jetë në QKUK-Prishtinë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor. Në këtë aksident kanë pësuar lëndime edhe katër (4) persona shtetas të Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas të dhënave preliminare dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i veturës BMW ishte duke qarkulluar nga Istogu në drejtim të Pejës dhe me të arritur në fshatin Baicë duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës si dhe shpejtësisë për një moment humb kontrollin mbi automjet dhe godet veturën VOLVO në pjesën ballore i cili ishte duke qarkulluar në rrugën Pejë-Istog.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat