Shfuqizimi i Speciales – Konjufca e pranon se ishte takuar me përfaqësues të AAK-së, Nismës e PDK-së

Aktuale

Shfuqizimi i Speciales – Konjufca e pranon se ishte takuar me përfaqësues të AAK-së, Nismës e PDK-së

Më: 4 janar 2018 Në ora: 18:02
Glauk Konjufca

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka treguar se në fund të dhjetorit ishte takuar me përfaqësues të partive që janë në pushtet dhe të cilat e kishin njoftuar se si e kanë ndërmend ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale.

“Kam pasur një takim në fund të dhjetorit me përfaqësues të Aleancës, Nismës dhe PDK-së, kam qenë i ftuar nga ta që të ma shpjegojnë se si do të shkojë përpjekja e tyre për shfuqizimin e Gjykatës”, ka thënë Konjufca në një prononcim për media pas mbledhjes se kryesisë së Vetëvendosjes.

“Kam dëgjuar me kujdes, sepse Vetëvendosje është dashur ti di ato qëndrime, në mënyrë që të vendosim se si të veprojmë më tutje”.

Konjufca ka shtuar se “ne jemi kundër Gjykatës, por për modalitetet do të shohim se si do të vendosim”.

Megjithatë Konjufca e ka quajtur dështim tentimin për zhbërjen e Speciales, pasi tashmë edhe janë tërhequr disa nënshkrime nga deputetët.

“Ne po përcjellim me shumë vëmendje nismën e deputetëve e cila tashmë mund të thuhet se ka dështuar, pasi disa prej tyre edhe i kanë tërhequr nënshkrimet.  Por, Vetëvendosej është kundër Gjykatës Special. Ky mendim dominon tek VV”.

“Gjykata është kundër sovranitetit të Kosovës, është Gjykatë me premisa diskriminuese pasi e vendos në shënjestër vetëm luftën e UÇK-së”.

“Por, jemi duke i konsideruar edhe si lojëra politike, pasi na duket i çuditshëm ndryshimi i qëndrimeve nga Partia Demokratike e Kosovës, ishte vet Hashim Thaçi që i pati dhënë zor votimit, tash çka u bë që pas dy vjetësh e gjysmë, PDK ndryshon qëndrim?”.

“Unë mendoj se ndryshimi i PDK-së lidhet me shqetësimet personale të presidentit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat