Hasani: Kosova synon anëtarësimin në Organizatën Botërore të Turizmit

Aktuale

Hasani: Kosova synon anëtarësimin në Organizatën Botërore të Turizmit

Më: 27 shtator 2017 Në ora: 14:20
Konferenca me rastin e Ditës Botërore të Turizmit

(E plotësuar) - Dita Botërore e Turizmit e gjen Kosovën me synimin për anëtarësim në Organizatën Botërore të Turizmit, ku anëtarësimi do t’i ndihmonte Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të standardeve menaxhuese dhe do të plotësonte identitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Në Ditën Botërore të Turizmit, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Turizmit do të ishte njësoj si anëtarësimi në UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Mustafa tha se Kosova mund të përdorë turizmin si sektorin më potencial për zhvillim ekonomik.

Hasani: Kosova mund të përdor turizmin për zhvillim ekonomik

“Kosova si shtet në zhvillim mund të përdor turizmin si sektorin më potencial për zhvillimin ekonomik në përgjithësi. Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke i kushtuar vëmendje të veçantë aktiviteteve që ndërlidhen me përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së bizneseve dhe heqjen e barrierave për bizneset. Përkrahjen dhe zhvillimin e sektorit privat dhe me theks të veçantë të zhvillimit të sektorit të turizmit, ku synojmë një sistem të qëndrueshëm të turizmit, ngritje të infrastrukturës, ngritje të zhvillimit të turizmit, por edhe ngritjen e punësimit dhe mirëqenies sociale”, tha ai.

Ndër prioritetet e para të tij si ministër, Hasani tha se do të jetë ngritja e strukturës institucionale, respektivisht ri funksionalizimin e departamentit të turizmit, përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe ngritja e kapaciteteve njerëzore. 

Ministri Hasani tha se do të bëjë riaktualizimin e projektit të Brezovicës dhe se do të ftojë investitorët për të investuar në këtë projekt.

Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadori Albert Prenkaj, tha se Kosova mund të identifikohet si një pikë shumë e rëndësishme e promovimit dhe zhvillimit të turizmit.

Sipas tij, nga perspektiva e politikës së jashtme zhvillimi i turizmit në Kosovë duhet të shihet si pjesë e një rajoni, e një tërësie turistike rajonale.

Prenkaj: Në politikën e jashtme turizmi është një nga prioritet

“Në politikën e jashtme, gjegjësisht në planin vjetor të politikës së jashtme diplomacia ekonomike, ku hyn edhe turizmi është një nga prioritetet e para. Me Qeverinë e re, gjegjësisht me ardhjen e zëvendëskryeministrit të ri diplomacia ekonomike ka fituar rëndësi edhe më tepër se deri më tani. Ne që nga fillimi i këtij viti kemi atashe të diplomacisë ekonomike në secilin mision dhe në secilën konsullatë”, theksoi ai.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë(KIESA), Besian Mustafa tha se turizmi si sektor ekonomik në Kosovë ka nevojë për mbështetje më të madhe.

Mustafa: Turizmi ka nevojë për përkrahje

“Turizmi si sektor ekonomik ka nevojë për një përkrahje shumë më të madhe sesa ajo që po e merr momentalisht, ministri e tha që ne duhet të përpiqemi që të ngritim edhe nivelin e përfaqësimit, por edhe kapacitetet njerëzore financiare të departamentit të turizmit brenda në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Duke mundësuar një cilësi më të lartë të politik bërjes, por edhe të promovimit”, tha Mustafa.

Konferenca me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

****

Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, sot Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) kanë mbajtur konferencën “Diplomacia dhe Turizmi”.

Bajram Hasani, Ministër i Tregtisë dhe industrisë, tha se Qëllim parësor i kësaj dite është vetëdijësimi për rëndësinë e turizmit.

Ai tha se Kosova synon të anëtarësohet në organizatën botërore të turizmit. Ndërsa tha se Kosova mund të përdor turizmin si sektorin më potencial për zhvillim ekonomik.

Sipas tij, MTI është duke i kushtuar kohë dhe përkushtim zhvillimit të sektorit të turizmit, ku një ndër prioritetet është rifunksionalizimi i zyrës së turizmit.

“MTI do të bëjë riaktualizimin e projektit të Brezovicës dhe do të ftojë investitorët të investojnë në këtë zonë”, tha ai Hasani.

Drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadori Albert Prenkaj, tha se në politikën e jashtme diplomacia ekonomike është një ndër prioritetet e para dhe me qeverinë e re.

Kurse, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë(KIESA), tha se turizmi si sektor ekonomik ka nevojë për mbështetje, duke bërë të mundur një mundësi më të mirë të promovimit të sektorit të turizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat