Lista Serbe nuk e voton Ligjin për Arsimin e Lartë

Aktuale

Lista Serbe nuk e voton Ligjin për Arsimin e Lartë

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 00:26
ilustrim

Ndonëse u bënë disa përpjekje që të miratohet në Kuvend, Ligji për Arsimin e Lartë nuk po sheh dritë në fund të tunelit.

Tentativat për ta miratuar i dështuan 2 herë ish-ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, për shkak të votave të deputetëve serbë, raporton KTV.

Sipas analistëve, Lista Serbe nuk ka votuar pro këtij ligji pasi Universiteti i Mitrovicës Veriore, që punon sipas sistemit akademik serb, në ligjin e ri përfundimisht do të udhëhiqet nga institucionet e vendit, konkretisht nga Ministria e Arsimit.

Arton Demhasaj, nga Organizata “Çohu”, shprehet se me një situatë të ngjashme, ky ligj mund të ballafaqohet sërish, por ministri i ri nuk duhet ta lërë anash këtë çështje, pasi ligji përbën një ndër temat kryesore me rëndësi për vendin.

E njohësi i çështjeve arsimore, Rinor Qehaja, thotë se do të ishte e pafalshme që edhe njëherë ky ligj të dështonte, pasi kështu do të vulosej ajo çka është thënë më herët, se arsimi manipulohet nga politika.

Se kur do të procedohet në kuvend ligji me rëndësi kaq të madhe për vendin, askush nuk dha përgjigje.

Ligji për Arsimin e Lartë, sipas Kushtetutës, është me interes vital dhe patjetër i duhen 2/3 e votave, përfshirë edhe ato të deputetëve nga komunitetet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat