Rama, Serbisë për Kosovën: Atë që ju e konsideroni krahinë, për ne është shtet

Aktuale

Rama, Serbisë për Kosovën: Atë që ju e konsideroni krahinë, për ne është shtet

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 00:07
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ditëve të fundit është kritikuar nga politikanët e Kosovës se po “përzihet” në punët e brendshme të saj, ka vazhduar të flas në mediat serbe për statusin e Kosovës.

Në një intervistë për mediumin serb “N1”, Rama ka thënë se nuk dëshiron të jetë ndërmjetës në bisedimet mes Kosovës e Serbisë, por ka thënë se është pikërisht çështja e Kosovës pengesa më e madhe në avancimin e mëtejmë të raporteve.

“Do të jem shumë i drejtpërdrejtë, kjo është një situatë me të cilën, pikë së pari, duhet të ballafaqohen Prishtina dhe Beogradi. Shqipëria nuk mbron e as nuk favorizon askënd, dhe mundohem që kur flas për paqen dhe për procesin e pajtimit të merret si shembull dhe ato që i them edhe i kthej në vepra, por nuk ekziston ndonjë mënyrë që të veproj në vend të Qeverisë në Prishtinë apo në ndonjë mënyrë të pengojë rolin e tyre në tërë këtë çështje. Atë që ju e konsideroni krahinë, për ne është shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin ne e vlerësojmë... jemi vëlla e motër, një popull, por Kosova është shtet tjetër”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, “Kosova është mali që ndan Serbinë dhe Shqipërinë” dhe ka shtuar se fakti që Shqipëria dhe Serbia bashkëpunojnë në fusha tjera është shenjë e pjekurisë.

Në këtë bisedë, Rama ka përmendur edhe rastin e para dy vjetëve në stadiumin e Beogradit, kur, siç pretendohet, tifozi me nofkën Ballisti lëshoi mbi stadium flamurin “autokton” i cili bëri që edhe ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë të ndërpritej si pasojë e përleshjes mes futbollistëve dhe futjes në fushë edhe të tifozëve serbë që sulmuan lojtarët shqiptarë.

“Në po këtë ditë, dy vjet më parë, për pak sa nuk u futëm në luftë për shkak të një ndeshjeje futbolli dhe asaj shakasë budallallëqe. Gjithnjë kam menduar se ka qenë shaka palidhje. Nga ana juaj, reagimi ndaj tij ka qenë i tepruar. Por sot është krejt ndryshe, ndonëse duhet bërë shumë më shumë”, ka shtuar kryeministri shqiptar.

Duke folur për Trepçën, Rama ka theksuar se Serbia duhet ta kuptojë se ajo gjendet në territor të Kosovës dhe se është në pronësi të qytetarëve të Kosovës.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat