Mensës i shtohen 200 vende

Aktuale

Mensës i shtohen 200 vende

Më: 9 tetor 2016 Në ora: 10:44
Menza

Studentët të cilët janë regjistruar për banim në konviktet e Qendrës së Studentëve dhe për ushqyerje në mesën e kësaj qendre, tashmë kanë filluar të akomodohen.

Disa nga studentët e anketuar nga KosovaPress-i, madje janë shumë të kënaqur me kushtet që i ofron kjo qendër studentore.

Trim Shehu nga Kaçaniku i cili është edhe student i vitit të parë në Fakultet Teknik në UP, ka thënë se me banimin në Qendër të Studentëve e ka shumë më të lehtë edhe studimin.

Shehu: Në konvikte e kem 100 herë më mirë se sa të banojmë diku tjetër

“Unë jam shumë i kënaqur që jam pranu për shkak se vijë nga një qytet i largët si është Kaçaniku dhe është shumë vështirë me udhëtua non-stop kështu që jam mirënjohës që më kanë pranuar dhe shpresoj që kam me kaluar shumë mirë dhe ma merr menja që është 100 herë më mirë që jam pranuar këtu sepse ndryshe kushtet do të kishin me qenë shumë të këqija për shkak se studimet nuk mundet askush me i kry kur është vazhdimisht në udhëtim”, është shprehur Shehu.

Edhe studentja Anita Shatri e cila vjen nga Prizreni dhe është studente e vitit të parë në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, është shprehur e kënaqur me kushte që i ofron kjo qendër.

Shatri: Kushte janë shumë të mira duke e pas parasysh edhe çmimin

“Kushtet janë shumë të mira, për çmimet që janë kushtet janë shumë të mira dhe nuk kemi ankesa përveç ujit , ujë të nxehtë, tjetër sen kurrgjë nuk kisha me shtu, kushtet janë të mira, ujë të nxehtë nuk kemi vazhdimisht kanë thënë se janë disa orare, ende nuk është vendos orari por thanë që sot ndoshta e vendosin orarin”, ka theksuar ajo.

Ndërkohë, vet drejtori i QS-së, Fatmir Sfishta, ka treguar për kushtet që i ofron qendra e studentëve të cilën ai e drejton.

Sfishta ka thënë për KosovaPress se gjatë pushimit të verës janë bërë investime dhe riparime të ndryshme çdo kund ku ka pas nevojë në mënyrë që të ofrohen kushte sa më të mira për studentë.

Sfishta: Kemi bërë riparime në konvikte sipas nevojës

“Gjatë këtyre tre muajve ne e kemi pa të nevojshme që të intervenohet, të riparohet, kemi planifikuar ën fillim të vitit dhe i kemi bërë ato renovimet e nevojshme si në konvikte ashtu edhe në mensë. Kjo vlen të theksohet që janë bërë intervenime thuajse në të gjitha konviktet në gëlqerosjen e brendshme si dhe në dy konvikte në gëlqerosjen e jashtme në lyerjen e jashtme të konvikteve gjithashtu intervenime në nyje sanitare të ndryshme, në nënstacionin e ngrohjes së ujit dhe kështu me radhë ku kemi pa të nevojshme që duhet të intervenohet kemi intervenuar”, ka thënë ai.

Sfishta ka theksuar se edhe në mesën e studentëve janë bërë riparime të mëdha duke e rritur edhe kapacitetin e numrit të ulëseve për 200 më shumë.

Sfishta: E kemi rritur kapacitetin për 200 vende

“Gjithashtu vlen të theksohet se në mensë janë bërë investime sivjet bukur të mëdha si në inventarin e restorant në tavolina, karrige, në shtrimin e dyshemesë me një material i cili është shumë higjienik dhe mirëmbahet shumë lehtë gjithashtu edhe në pajisje ku përgatitet ushqimi dhe e kemi shtuar edhe 200 vende më shumë se sa ka qenë kapaciteti në vitin e kaluar me karrige. Kështu që ne këtë vit mund të punojmë më komod në ushqimin, në pritjen dhe servimin e ushqimit për studentë”, është shprehur ai.

QS ofron strehim dhe ushqim për rreth 5 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës.

Ndërkohë, çdo dhomë e konvikteve ofron shtretër, frigorifer, internet pa pagesë si dhe kushte tjera për banim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat