Departamenti amerikan i shtetit: Kosova i ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale

Aktuale

Departamenti amerikan i shtetit: Kosova i ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale

Më: 1 gusht 2016 Në ora: 10:34
Departamenti amerikan i shtetit

Ministria e Financave ka vlerësuar lart raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve të vitit 2016 lidhur me transparencën fiskale në Kosovë.

Sipas MF-së, ky raport përshkruan kërkesat minimale për sigurimin e transparencës fiskale të shteteve, që lidhen në veçanti me përgatitjen dhe publikimin e dokumenteve kyçe të buxhetit në mënyrë të plotë dhe të besueshme dhe të qasshme për publikun, siç është propozim buxheti, buxheti vjetor i miratuar, raporti vjetor i ekzekutimit të buxhetit, raportet e rregullta të shpenzimeve etj.

Po ashtu, raporti i borxhit publik i vendit është në dispozicion për qytetarët dhe jep informata të plota dhe të besueshme, transparencën në lidhjen e kontratave publike dhe lëshimin e licencave për shfrytëzimin e resurseve natyrore, ekzistencën dhe funksionalitetin e një autoriteti suprem të auditimit të pavarur dhe bërjen publike të auditimeve të tilla.

Si e tillë, transparenca fiskale është element kritik për menaxhim efektiv të financave publike dhe ndihmon në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe bizneseve karshi shtetit. Transparenca fiskale fuqizon llogaridhënien e Qeverisë duke ofruar një dritare të mundësive për qytetarë për të parë nga afër mënyrën e mbledhjes dhe shfrytëzimit të buxhetit të shtetit. Në këtë mënyrë, debati publik është më i informuar dhe bazuar në të dhëna të besueshme.

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, në raportin e vitit 2016, vlerëson se Kosova ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2015. Të dhënat që ka përdorur Departamenti i Shtetit janë nga shërbimet diplomatike dhe konsullore, nga shoqëria civile, nga organizatat ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat