Festohet anëtarësimi i FFK-së në UEFA, premtohet mbështetje institucionale dhe ndërkombëtare

Sporti

Festohet anëtarësimi i FFK-së në UEFA, premtohet mbështetje institucionale dhe ndërkombëtare

Më: 5 maj 2016 Në ora: 22:51

Krerë shtetëror, politikanë, gazetarë dhe komuniteti sportiv u mblodhën sot për të festuar anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në organizatën më të madhe të futbollit në Evropë - UEFA.

Në këtë ceremoni u urua puna e bërë nga Federata e Futbollit të Kosovës si dhe u premtua se mbështetja për këtë federatë nga ana e institucioneve të vendit nuk do të mungojë.

Për anëtarësimin në UEFA edhe njëherë uroi presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ai u shprehë i bindur se sukseset e futbollit kosovar nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen.

Thaçi: Besoj se do të kemi suksese edhe në të ardhmen

“Ndihem tepër mirë dhe krenar që festojmë anëtarësimin e FFK-së në UEFA, prandaj sot kemi festë për UEFA, kemi festë për liberalizimin e vizave, do të kemi për FIFA-në. Uroj dhe besoj se do të kemi suksese edhe në të ardhmen. Sonte është nata e juaj, ne jemi vetëm në përkrahjen dhe mbështetjen tuaj”, tha ai.

Ndërsa, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, tha se emocion et dhe drithërimat nuk përfundojnë me anëtarësimin në UEFA, por po shtohen së bashku me obligimet që ka tani FFK-ja.

Vokrri: Ne e vazhduam ëndrrën e të pararënësve

“Pas gjithë kësaj që ndodhi emocionet dhe drithërimat nuk pushuan, përkundrazi ato vinë dhe shtohen sikur vinë, shtohen dhe rriten obligimet dhe detyrimet tona.... Po rikthehem me premtimin mbajtur që na bënë të jemi krenarë, e vlerësoj sakrificën tuaj sepse më mbështetët aq fuqishëm në realizimin e këtij misioni që për disa skeptikë dukej i pamundur. Ky mision kërkoi ekip dhe sakrificë edhe jashtë familjes, si mbështetja pa rezervë që kisha nga komiteti ekzekutiv, i cili në asnjë çast nuk më la vetëm dhe nuk dyshoj asnjëherë se nuk do të mund ta mbërrijë edhe betejën finale. Ne e vazhduam ëndrrën e të pararënësve të cilët me guxim dhe kurajë i kishin nisur hapat e parë. Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që punuan, përkrahën dhe mbajtën të pa fikur fanarin e lirisë. Krutë të federatës së parë, asaj vijuese dhe të sotmes, administratë, drejtues të klubeve, lojtarëve, gjyqtarëve..., publikut, por edhe atij më të voglit që thuri ëndrrën e vetë”, tha ai.

Mbështetje për futbollin kosovar premtoi edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, i cili dekori Vokrrin për anëtarësimin e FFK-së në UEFA. Ai tha se Kosova do të jetë qendra e talenteve të futbollit në rajon dhe në Evropë, derisa shtoi se Kosova furnizon me futbollistë rreth 12 kombëtare të Evropës.

Duka: Kosova do të jetë qendra e talentëve të futbolli të rajonit dhe të Evropës

“48 orët e fundit mendoj se kanë hapur një epokë të re për futbollin në Kosovë. Sot futbolli i Kosovës duke qenë anëtare e UEFA-së dhe së shpejti, për 3-4 ditë jam i bindur se do të jetë edhe anëtar i FIFA-së, do të ketë shumë më tepër zhvillim, ndihma, donacione dhe do të ketë shumë më tepër kualitet loje, kualiteti në Kosovë dhe talentët e futbollit janë shumë të mëdha. Jam i sigurt që Kosova do të jetë një nga qendra e talenteve të futbollit të rajonit apo të Evropës. Është i vetmi nacion shqiptarë, i cili furnizon me futbollistë rreth 12 kombëtare të Evropës”, tha ai.

I pranishëm për të uruar Kosovën dhe për të siguruar edhe më tutje mbështetjen e Federatës së Futbollit të Gjermanisë për FFK-në ishte edhe nënkryetari i kësaj federate, Rainer Milkoreit. Ai theksoi se në të ardhmen do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi me Kosovën dhe kështu e ardhmja e futbollit kosovar do të jetë e sigurt.

Milkoreit: Në të ardhmen do të nënshkruajmë memorandum bashkëpunimi me Kosovën

“Qe afër 6 vjet jam duke u lutur dhe jam angazhuar maksimalisht si nënkryetar i Federatës së Futbollit të Gjermanisë që ta ndihmoj FFK-në, dhe sot ju gëzoni atë që edhe e keni merituar. I gjithë shteti duhet të jetë krenar për këtë pranim dhe ju edhe institucionet, futbolldashësit duhet t’i përkrahni gjenerata e reja, klubet sepse ju në të ardhmen premtoni shumë....Federata e Futbollit të Gjermanisë si në të kaluarën edhe në të ardhmen do të jetë përkrahë juve dhe ju premtojmë se do t’iu përkrahim deri në momentin kur ju do ta ... Ne në të ardhmen do të nënshkruajmë edhe një memorandum bashkëpunimi me Kosovën, kështu që e ardhmja e Kosovës është e sigurt”, tha ai.

Urime për anëtarësimin e FFK-së në UEFA dhe mbështetje për të shprehën edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Vesel i si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili kishte përgatitur një dhuratë për kryetarin e FFK-së Fadil Vokrrin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat