Kozniku: Historike, jemi në shtëpinë më të madhe evropiane

Sporti

Kozniku: Historike, jemi në shtëpinë më të madhe evropiane

Nga: Kemajl Goca Më: 3 maj 2016 Në ora: 16:48

Ish-futbollisti i mirënjohur, Ardian Kozniku, nuk fsheh emocionet dhe kënaqësinë e pakufishme që u pranua futbolli i Kosovës në UEFA. Ai ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot” tha se është një ditë e veçantë dhe historike, e paharrueshme dhe që nuk përshkruhet me fjalë. Kozniku me kombëtaren e Kroacisë kishte fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në vitin 1998, tha se tani gjërat do të jenë më ndryshe për futbollin e Kosovës.

“Vërtet ishte një situatë shumë e rëndë, sidomos Neni i pestë që nuk kalojë. Megjithëkëtë, më në fund u realizua një ëndërr e madhe që e kemi pritur krejt shqiptarët. Është një fitore e madhe për futbollin e Kosovës, për shkak se shumë vjet kanë kaluar, pasi që kemi mundur edhe më herët të jemi në shtëpinë më të madhe evropiane . Është një ditë e veçantë, sepse kemi hyrë në shtëpinë më të madhe të Evropës, si anëtari i 55-të në UEFA. Tani duhet shumë punë e madhe dhe nuk duhet me u ndalë.

Me pranimin në UEFA nuk e besoj se do të ketë probleme financimi nga shteti, ndihmojnë edhe UEFA. Po ashtu duhet edhe infrastruktura të rregullohet, por pika kryesore ka qenë pranimi dhe kjo ndodhi. Kur nuk je i pranuar me letra është e kot, por puna u krye dhe tash duhet të vazhdojmë punën tonë. Falënderojë të gjithë nga zemrat që kanë punuar e kontribuar, si federata, miqtë, mediat, futbollistët, ata që ishin në diasporë e të gjithë sado pak që ndihmuan në ndërkombëtarizimin e futbollit tonë. Është një ditë historike. Mos të harrojmë, edhe Komiteti Olimpik i Kosovës kur u pranua në KON ka hapur dyert për sportin tonë.

Edhe KOK-u ka bërë punë të madhe dhe kjo me futboll është qershia mbi tortë, një ditë e madhe dhe e papërshkrueshme. Urime, urime, urime për të gjithë”, tha Kozniku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat