“Corriere Dello Sport” lavdëron shqiptarin

Sporti

“Corriere Dello Sport” lavdëron shqiptarin

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 14:05

Futbollisti Elseid Hysaj nuk mundi ta kurorëzonte me një rezultat pozitiv ndeshjen e zhvilluar në “Juventus Stadium” ku arriti të bllokonte në çdo tentativë Paul Pogba dhe Paulo Dybala. Mbrojtësi shkodran u tregua i saktë në çdo duel, ndërsa në aspektin ofensiv ishte shumë pranë asistit personal për Higuain por ishte Bonucci ai që i mohoi kënaqësinë e pasimit vendimtar për argjentinasin. Të përditshmet italiane e konsiderojnë paraqitjen e mbrojtësit shqiptar si pozitive, duke theksuar se lojtari kuqezi është një siguri për mbrojtjen e Maurizio Sarrit.

“Corriere Dello Sport” e vlerëson Hysajn me notën 6 duke theksuar se 22-vjeçari shqiptar kishte studiuar deri në detaje lëvizjet e Dybalas, madje arriti që të impononte edhe lojën e tij në sulm. “Arrin të japë pasimin më të mirë të ndeshjes për Higuain por Bonucci prishi trajektoren”, shkruan kjo e përditshme. Portali “Tuttomercatoweb” e vlerëson me notën 6.5 duke theksuar se vetëm Koulibaly dhe Allan zhvilluan një ndeshje më të mirë. Sipas kësaj faqeje, Hysaj arriti të imitojë cilësitë e francezit Pogba, ndërsa gjatë pjesës së dytë arriti të tregonte më shumë aftësi në fazën sulmuese. Në faqen e specializuar “Spazionapoli”, të vetmit që dolën me kokën lart nga “Juventus Stadium” janë Allan dhe Hysaj që merr notën 6.5. Për këtë portal, shqiptari është njeriu i duhur për krahun e djathtë të mbrojtjes ku ndali çdo sulm të skuadrës së Allegrit duke ndërhyrë në çdo rast ne saktësi.

Edhe pjesa tjetër e mediave në vendin fqinjë e veçojnë 22-vjeçarin shqiptar si një prej notave të pakta pozitive të mbrëmjes torineze për Napolin. Shqiptari i skuadrës së Sarrit bindi të gjithë skeptikët në një ndeshje me shumë peshë. Edhe pse Napoli i tij nuk arriti të siguronte pikë nga kështjella bardhezi, Hysaj duelin e parë personal me Pogba e fitoi, tashmë është në pritje të raundit të dytë në Euro 2016 ku do të ketë përballë sërish francezin që konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj tyë futbollit europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat